Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, tha se LDK është e interesuar për vazhdimin e dialogut me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për të bashkëqeverisur, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, tha se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë ka informuar anëtarët e këtij këshilli, deputetët e ardhshëm të Kuvendit nga LDK dhe kryetarët e komunave nga kjo parti rreth bisedimeve me Vetëvendosjen për mundësinë e formimit të koalicionit LVV-LDK.
Mustafa theksoi se LDK “mbetet e përkushtuar të vazhdojmë dhe më tutje të bëjmë të gjitha përpjekjet në mënyrë që të arrijmë një koalicion për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje” dhe se një koalicion i tillë nuk duhet të shihet si rivalitet politik, por si “një ndryshim i domosdoshëm që duhet të bëhet në të mirë të së ardhmes së vendit”.
“Parimi që u tha në Këshillin e Përgjithshëm sot është që pjesë e marrëveshjes duhet të jenë të gjitha pozitat me të cilat do të sfidohet ky koalicion qeverisës gjatë këtyre katër viteve dhe po ashtu që trajtimi i këtyre pozitave duhet të jetë në harmoni me interesin tonë që të kemi një koalicion që zgjat katër vjet, ose edhe tetë vjet, e assesi një koalicion i cili do të sfidohet në momente të caktuara qoftë nga zgjedhja e presidentit ose nga momentet e tjera që mund të jenë sfiduese për qëndrueshmërinë e këtij koalicioni”, tha Mustafa.
Mustafa tha se LDK do të vazhdojë t’i përgjigjet ftesës së LVV-së për takimet e ardhshme, duke shtuar se tani përgjegjësia për formimin e këtij koalicioni është mbi LVV-në, ngase, siç tha Mustafa, LDK në këmbim të pozitës së presidentit i ka dhënë dhe një ministri, duke bërë që LVV t’i ketë në dispozicion gjashtë ministri, ndërsa LDK katër.
“Do të verifikohemi për një vit se a jemi serioz apo s’jemi serioz, prandaj unë nuk shoh asnjë pengesë që Lëvizja Vetëvendosje duhet të pranojë të japë një zotim për partnerin e vet se do ta përkrahë atë pozitë (të presidentit) që ta ketë LDK, ashtu siç ne kemi besimin që t’ia japim kryeministrin Vetëvendosjes dhe nuk shtrojmë pyetje nëse duhet apo s’duhet të jetë”, theksoi ai.
Takimi i fundit midis kreut të LVV-së, Albin Kurti, dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa, u realizua më 14 dhjetor në Kuvendin e Kosovës, i cili zgjati për më shumë se katër orë, por pa rezultat për të bërë koalicion për shkak të mospajtimeve midis tyre. Në anën tjetër, tashmë kanë mbetur edhe tetë ditë deri në seancën e parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të thirrur nga presidenti Thaçi më 26 dhjetor në orën 15:00.


