Gjata: Rama i dhuroi financueses së PS-së, Vilma Nushit, 8.5 milionë euro me koncesionin korruptiv

Përmes një deklarate në seli, sekretari i PD-së për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata u shpreh se Edi Rama dhe qeveria e tij vjedhin shqiptarët për të pasuruar oligarkët, klientët dhe financuesit e tyre.

Buxheti 2020 me 150 milionë dollarë pagesa për 10 oligarkë nuk është prova e vetme se motivimi kryesor i qeverisjes së Edi Ramës është vetëm zhvatja dhe grabitja e qytetarëve për interesa korruptive. Të dhënat zyrtare tregojnë se Edi Rama i ka dhuruar financueses së e fushatës së tij elektorale, Vilma Nushi, 8,5 milionë euro përmes kontratës korruptive të koncesionit të check up-it. Një raport i dhjetorit për koncesionet i Ministrisë së Financave, konfirmon se për 3 vitet e para të lidhjes së kontratës së dështuar dhe korruptive të check up-it, mikesha dhe financuesja e Edi Ramës është paguar për 580 mijë kontrolle të pakryera. Fatura që shqiptarët kanë paguar për të pasuruar oligarken dhe kryeministrin është 8.5 milionë euro”, tha Gjata.