“Marrëveshja bërthamore me Iranin nuk ishte e mirë, duhet të negociohet një tjetër”

Majko tha se politika shqiptare po jep një shembull lidhur me marrëdhënien e detyrueshme që të gjithë politikanët pa dallime partiake duhet të kenë me parimin e sigurisë kombëtare

Një grup deputetësh dhe ish-deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë së bashku me zyrtarë të tjerë organizuan një takim pune me gjeneralin amerikan Michael D. Barbero, ku në fokus ishin diskutimet mbi NATO-n dhe situata në Iran dhe Irak, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij, ministri i Shtetit për Diasporën i Shqipërisë, Pandeli Majko, tha se politika shqiptare po jep një shembull lidhur me marrëdhënien e detyrueshme që të gjithë politikanët pa dallime partiake duhet të kenë parimin e sigurisë kombëtare.

“Aktualisht në rajonin tonë, por edhe më gjerë faktet dhe ato që po ndodhin kanë treguar që bota po bëhet gjithmonë dhe më e vogël dhe janë problemet që pavarësisht nga distancat kilometrike na prekin në mënyra të natyrave të ndryshme. Sot Lindja e Mesme është në pamje të parë në një distancë të largët, por problemet e saj kanë trokitur edhe në sigurinë kombëtare të Shqipërisë”, tha Majko.

Sipas tij, ka ardhur koha që sot më me vëmendje të dëgjohen gjeneralët apo ushtarakët për ato që po ndodhin sesa njerëzit e politikës.

“Ne jemi sot këtu të gjithë bashkë, politikanë të të gjitha krahëve politike së bashku me ish-ushtarakët për të respektuar një parim të rëndësishëm, atë të sigurisë kombëtare”, theksoi ai.

Ndërsa Michael D. Barbero në fjalën e tij theksoi se nuk është e vërtetë që SHBA kërkon të pushtojë Iranin.

“Vrasja e gjeneralit Soleimani ishte një parandalim. Irani ka organizuar disa sulme të sofistikuara, nuk kishte përgjigje nga ne. Kemi ndërmarrë veprimet e nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë. Marrëveshja bërthamore me Iranin nuk ishte e mirë, duhet të negociojmë një tjetër”, u shpreh Barbero.

Në takim u diskutua edhe mbi rolin e Shqipërisë në NATO dhe rëndësinë që ka patur anëtarësimi i vendit në Aleancë për sigurinë kombëtare."Marrëveshja bërthamore me Iranin nuk ishte e mirë, duhet të negociohet një tjetër"