Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ende nuk ka marrë njoftim zyrtar për çnjohjen eventuale të pavarësisë së Kosovës nga shteti afrikan, Sierra Leone, raporton Anadolu Agency (AA).
Këtë e ka bërë të ditur, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili mori pjesë në një konferencë ku u publikua “Vjetari i Politikës së Jashtme”, raport që flet për punën njëvjeçare të politikës së jashtme, i bërë nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).
Konjufca, duke folur për paralajmërimin e homologut të tij serb, Ivica Daçiq i cili theksoi mëngjesin e së martës se shteti afrikan Sierra Leone, që e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 11 qershor të vitit 2008, e ka “tërhequr njohjen”, tha se nuk kanë ende njoftim zyrtar nga ky shtet.
Konjufca tha se me këto veprime Serbia “i jep të drejtë taksës”.
“Për Sierra Leonen tashmë i kam paralajmëruar shtetet që kanë ndikim atje. Sepse e kam ditur para katër-pesë ditëve që është duke u përgatitur diçka. Kjo është forma e vetme në të cilën Kosova ka fuqi dhe e praktikon këtë metodologji. Shtetin që ne e kemi konsideruar që për nga influenca diplomatike tradicionale, historike dhe relacioneve tregtare, shteti që është më i fuqishmi në Sierra Leone, e ka ditur këtë punë, prej meje. Domethënë e kam informuar. E tani sa është objektivisht e vërtetë ajo që po thotë Daçiqi, unë mendoj se nuk mund ta marrim si të vërtetë”, tha Konjufca.
Duke folur për politikën e jashtme gjatë vitit 2019 por edhe atë që pritet të ndodhë në vitin 2020, Konjufca tha se politika e jashtme e Kosovës ka qenë e kushtëzuar dhe kushtëzimi kryesor ka qenë se “çfarë relacioni ka dhe po zhvillon Kosova me Serbinë”.
Hulumtuesi nga PIPS, Butrint Berisha tha se edhe në vitin 2019 ka qenë shqetësuese fushata për çnjohjet e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, e cila filloi në vitin 2017 “me tërheqjen e njohjes nga Suriname dhe pas kësaj u përcoll me valë shtetesh që dërguan nota verbale kryesisht në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, duke deklaruar se pezullojnë njohjen e Kosovës”.
Berisha tha se përgjigja institucionale e Kosovës nuk ka qenë e kënaqshme ndaj kësaj fushate, duke thënë se “çnjohja nuk është e rregulluar me ligjin ndërkombëtar”.
“Njohja e fundit nga Barbados në shkurt të vitit 2018 përbën periudhën më të gjatë kohore nga shpallja e pavarësisë pa asnjë njohje të re. Por jo vetëm kaq, edhe në aspektin shumëpalësh Kosova nuk është që kishte një vit të suksesshëm, ku realisht as nuk aplikoi as nuk u bë anëtare e ndonjë mekanizmi të rëndësishëm ndërkombëtar. Kosova u bë anëtare e Unionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës (IUCN), sidoqoftë, organizata e fundit e madhe në të cilën Kosova është bërë anëtare është Komisioni i Venecias në vitin 2014”, tha Berisha.
Ky raport vë në pah se sfidat karshi pozicionit të Kosovës në shoqërinë ndërkombëtare vazhdojnë të jenë serioze ndërsa “procesi i njohjes së Kosovës ka hyrë në një fazë të re vitet e fundit, i karakterizuar me sukses të limituar dhe mungesë të një qasjeje energjizuese”.
Gjithashtu po sipas këtij raporti, Kosova ka vuajtur nga zhvillime të jashtme sikundër Brexit apo aneksimi i Krimesë të cilat e kanë lëvizur fokusin nga rajoni i Ballkanit Perëndimor duke krijuar “një ambient më armiqësor për Kosovën”.



