15 persona kanë humbur jetën, ndërsa 243 të tjerë janë infektuar nga Covid-19, në vendin tonë. Bilanci i viktimave u rëndua pasditen e djeshme pasi dy të infektuar që ndodheshin në intubim, humbën jetën.
Bëhet fjalë për një 77-vjeçar nga Kavaja, me inicialet I. B., i cili pësoi infarkt miokardi. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 77-vjeçari vuante nga disa sëmundje si: Diabet mellitus, insuficience renale kronike dhe insuficiencë kardiake. Përveç tij, ka ndërruar jetë edhe 69-vjeçari me iniciale R. P nga Hasi. Ai trajtohej prej 8 ditësh në spitalin Infektiv, ndërsa prej 3 ditësh gjendja e tij ishte rënduar dhe ishte në respiracion të drejtuar (i intubuar).
Lajmi i mirë është që numri i pacientëve të shëruar ka shkuar në 67, pasi mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama njoftoi se janë shëruar edhe 15 persona të tjerë. Harta e të prekurve nga COVID-është zgjeruar në 17 qytete, ku mbizotërojnë 129 raste në Tiranë, 26 në Durrës 23 në Fier dhe 15 në Korçë. Qytetet e tjera kanë nga 1-5 raste.
Po kështu, shqiptarët vijojnë të jenë të izoluar në banesat e tyre. Çdo qytetarët që do të bëjë pazar, duhet të njoftojë autoritetet një ditë para dhe pas marrjes së autorizimit mund të dalë nga banesa. Lejohet një vetëm një person në familje të bëjë pazar dhe orari i lejuar është vetëm 1 orë në ditë.



