COVID-19/Shkon në 154 numri i të shëruarve, në Elbasan infektohet gruaja e pronarit të restorantit

Në Shqipëri deri më tani janë 383 persona të infektuar me COVID-19, ndërkohë janë shënuar 22 viktima. Në 24 orët e fundit janë shëruar edhe 23 pacientë të tjerë dhe numri i të shëruarve ka shkuar në 154. Rama: Ky është lajm i mirë!

383 të infektuar, 22 viktima dhe 154 të shëruar, ky është bilanci i deritanishëm i COVID-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë njoftoi një ditë më parë se në 24 orët e fundit u shënuan vetëm 6 raste të reja. Ndërkohë, epiqendra’ e infeksionit në Shqipëri, mbetet Tirana më 181 raste, e ndjekur nga Shkodra me 44 pacientë pozitivë. Më pas renditet Durrësi me 38 të infektuar dhe Fieri më 26. Ndërsa, në Korçë, deri më tani ka vetëm 17 të infektuar. Por burime për Dosja.al bëjnë me dije se në Elbasan rezulton e infektuar edhe gruaja e 46-vjeçarit nga Elbasani, pronar i një restoranti.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 67 pacientë të shtruar, 5 prej tyre janë në terapi intensive. Po kështu, në spitalin COVID 2 apo ndryshe “Shefqet Ndroqi”, janë shtuar 7 pacientë, 6 prej tyrë në terapi intensive, ndërsa 3 prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe janë të intubuar.