Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar 100-vjetorin e themelimit të Kuvendit të Madh Popullor (TBMM) të Turqisë dhe në të njëjtën kohë, festën e Sovranitetit Kombëtar dhe Fëmijëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke filluar urimin e tij në gjuhën turke “Bayraminiz kutlu olsun” (Urime festa), Kurti rikujton se një shekull më parë, Turqia ishte e pushtuar prej disa fuqish të mëdha botërore, të cilat siç thotë ai, sulmuan dhe pushtuan pjesë të mëdha të Turqisë.
“Prej asaj dite, 23 prilli festohet prej të gjithë turqve, si ditë e sovranitetin kombëtar, dhe si festë e fëmijëve. Kosova ka gjetur mbështetje dhe miqësi te Turqia, si vend i rëndësishëm i NATO-s, por edhe si vend mik i shqiptarëve. Po ashtu, Kosova është atdhe i një minoriteti turk, me kontribute të rëndësishme në vendin tonë”, theksoi ai.
Kurti më tej ka shprehur urime për popullin e Republikës së Turqisë për një shekull sovranitet e parlamentarizëm.
“Ua uroj këtë datë të gjithë institucioneve të Turqisë, me në krye presidentin (Recep Tayyip) Erdoğan, siç ua uroj edhe gjithë turqve të Kosovës. Patjetër, ua uroj edhe fëmijëve, meqë në Turqi kjo është edhe festë e fëmijëve.Gëzuar, për miqësinë e fortë të Kosovës e shqiptarëve me Turqinë”, përfundoi Kurti.
Festa shtetërore e Sovranitetit Kombëtar dhe Ditës së Fëmijëve festohet më 23 prill, në ditën kur në vitin 1920 u hap Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë.



