COVID-19/ 736 të infektuar dhe 28 viktima, 10 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit, stabilizohet situata në disa qytete

Deri më tani në vendin tonë kanë humbur jetën 28 persona dhe janë infektuar 736 të tjerë. Numri i të shëruarve ka shkuar në 422. Ulet numri i të shtruarve në spital, vetëm 34.

736 të infektuar, 28 viktima dhe 422 të shëruar, ky është bilanci i deritanishëm i COVID-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar me COVID-19 edhe 10 persona të tjerë, 4 më pak se dje. Harta është zgjeruar me 9 raste të reja në Tiranë, dhe 1 rast i ri është në Shkodër. Sipas ministrisë, gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë, i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 422.

Aktualisht në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 34 pacientë. Rasti i ri në Shkodër është një grua nga lagjia Kiras, e cila siç bëjnë me dije burime për Dosja.al ka shfaqur dy ditë më parë temperaturë dhe ethe dhe më pas i është bërë tamponi. Ndërkohë që situata shfaqet më e relaksuar edhe në Tiranë, ku si rrallë herë, oborri i QSUT është parë i zbrazur nga familjarë që kanë brenda ambienteve të infektivit, të afërm me COVID-19.