Shqipëri, arrestohet një shtetas nga Taxhikistani për pjesëmarrje në organizatë të huaj terroriste

Gjatë operacionit "Vizitori" organizuar nga Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me Interpol Tirana është arrestuar 24-vjeçari, i kërkuar në Gjermani për veprën penale "Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste"

Policia e Shqipërisë ka arrestuar një shtetas nga Taxhikistani, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka njoftuar se gjatë operacionit “Vizitori” organizuar nga Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me Interpol Tirana është arrestuar 24-vjeçari, i kërkuar në Gjermani.

“Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21.04.2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale ‘Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste'”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, i arrestuari është i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i një “organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani” në emër të DAESH-it.