“Bërtisnin, pinin alkool dhe villnin”, pronari i hotelit tregon festën e çmendur të mjekëve shqiptarë në Itali

Drejtori i Hotel Regal në Breshia ku po qëndronin një pjesë të infermierëve dhe mjekëve shqiptarë të dërguar në Itali është revoltuar për mënyrën sesi ata janë sjellë gjatë qëndrimit të tyre.

Në një shkrim të botuar në Repubblica, Luca Andriani tregon se ekipi i dërguar nga Shqipëria për të ndihmuar shtetin fqinj në luftën kundër Covid-19, jo vetëm që bënin festa, por nuk mbanin as maska dhe as nuk kujdeseshin për distancimin fizik apo social.

Shumë prej këtyre mjekëve dhe infermierëve u gjobitën nga policia lokale ndërsa po festonin përfundimin e misionit të tyre në Itali.

I revoltuar Andriani tregon:

“Iu drejtova policisë dhe do ta bëja përsëri, sepse angazhimi në spital nuk justifikon mungesën totale të korrektesës dhe respektimit të rregullave. Portieri i natës më bëri telefon rreth mesnatës dhe më tha se festa kishte vazhduar për orë të tërë, me alkool dhe muzikë me zë të lartë, duke provokuar protesta nga klientët e dhomave tët tjera, që janë zënë kryesisht gjatë kësaj periudhe nga personele shëndetësore dhe forca të rendit, veçanërisht karabinerë.”