Ekzekutuan 4 të rinj për drogë/ Nis seanca në gjykatën e Durrësit për 2 atentatorët, Prokuroria kërkon burg

Sot do të dalin para gjykatës, 2 atentatorët e arrestuar, që akuzohen për vrasjet e vëllezërve Haxhia, Anxhelo Avdisë e Dorian Shkozës.

Ditën e sotme pritet të dalin para gjykatës së Durrësit 2 atentatorët e arrestuar, Altin Ndoci dhe 22-vjeçari K.A, të cilët akuzohen për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia (Besmirit dhe Viktorit) dhe për ezektutimet e Anxhelo Avdisë e Dorian Shkozës.  Pritet që seanca të fillojë në orën 09:00  në masa të forta sigurie.

Mësohet se prokuroria ka kërkuar  masën e sigurisë arrest me burg pa afat për Altin Ndocin dhe 22-vjeçarin me inicialet K.A, i cili  ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë.  Tabulatet telefonike, por edhe bashkëpunimi i 22-vjeçarit me policinë zbardhën dy ngjarjet e rënda kriminale që tronditën Durrësin në harkun e 2 muajve, ngjarje këto që ndodhën për prishjen e pazareve të drogës.

 

Dy të rinjtë janë arrestuar pasditen e së enjtes nga Policia njëri në Tiranë e tjetri në Durrës. Ndalimi vjen pas 2 ngjarjeve të rënda. Dy vëllezërit Haxhia u ekzekutuan brenda makinës së tyre “Voklswagen”, me 55 plumba. Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë tek parku i tregut të makinave në Durrësit, aty ku kishin edhe një biznes të tyre. Sapo të dy vëllezërit dolën nga banesa dhe iu drejtuan parkut, 3 persona dyshohet se iu dolën para me makinën Toyota, viktimat ndaluan dhe ata nisën të qëllojnë drejt tyre. Ndërkohë që e ngjashme është edhe ngjarja e dy marsit, për të cilën akuzohet Ndoci dhe i riu nga Durrësi. Anxhelo Avdia dhe Dorian Shkoza, ishin duke  ecur në këmbë kur u qëlluan nga një makinë në ecje. Njëri prej tyre, Dorian Shkoza, ka qenë i dënuar me 8 vite burg për trafik droge dhe është liruar në vitin 2010