Ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Luli Faber, shkruan se shqiptarët janë jo vetëm nga Republika e Shqipërisë, por edhe nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
“Ndërmjet tyre, Agron Vraja (51), anëtari i Këshillit Bashkiak në Lezhë dhe Doktor Raif Krasniqi (77) kanë humbur jetën teksa ishin vizitorë në Nju Jork tek familjarët e tyre. Përveçse u larguan nga kjo jetë dhe askush nga të afërmit nuk mundi t’i qëndronte afër në momentet e vështira të sëmundjes, për shumë arsye, ata nuk mund të varroseshin në Nju Jork. Bashkë me to, edhe dy qytetarë shqiptaro-amerikanë, Ponari (47) dhe Vuktilaj (53) kishin lënë amanet – trupat e tyre duhet të ktheheshin në Shqipëri”, shkruan ambasadorja.
Ambasadorja thotë se ambasada e Shqipërisë në SHBA bëri të pamundurën për t’i kryer amanetin shqiptarëve, dhe ditën e djeshme trupat e të katërve kanë mbërritur dhe janë varrosur në tokën shqiptare.



