Prokuroria e Posaçme ka regjistruar kallëzimin penal ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe nënkryetarit Arbjan Mazniku, të bërë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Më 6 maj, Aleanca depozitoi në Prokurorinë e Posaçme padinë ndaj Veliajt, të cilin e akuzon për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion të zyrtarëve që kryejnë funksion publik, kryer në bashkëpunim. Mësohet se SPAK ka nisur hetimet, por procedimi nuk është regjistruar me emrin e Veliajt, por me atë të Maznikut.
Në padinë e depozituar në SPAK, artistët kërkojnë që të hetohen ndryshimet e bëra gjatë muajve të fundit për ndërtimin e Teatrit nga privati.
Nisja e hetimit nga SPAK, vjen në kohën kur debati për Teatrin Kombëtar ka kapur majën. Bashkia e Tiranës mori dje në fshehtësi vendimin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Vendimi u firmos nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Toni Gogu. Pas vendimit, në sheshin e Teatrit Kombëtar ka nisur protesta e artistëve, ku atyre iu është bashkuar edhe kreu i PD, Lulzim Basha. Ditën e sotme ndërkohë, artistët kanë paditur në Prokurorinë e Tiranës 3 inxhinierët që firmosën akt ekspertimin për shembjen e godinës.



