Ajasofja është çështje sovraniteti

Sulltani i 7-të i Perandorisë Osmane, Fatih Mehmedi i II-të hyri si ngadhënjimtar në Stamboll më 29 Maj të vitit 1453. Ai e ktheu Ajasofjen në xhami duke falur namazin e parë të xhumasë më 1 Qershor 1453. Pasi e bleu nga pasuria vetjake këtë xhami, e ktheu në vakuf dhe la një vakëfname (dokument a tapi e vakëfit) prej 66.5 metra të shkruar në lëkurë gazele, ku me largpamësinë e tij kërkoi që Ajasofja të mbetej xhami deri në fund të ekzistencës së kësaj bote.
Ajasofja ka shërbyer si xhami për 481 vjet ndërsa në 86 vitet e fundit ka shërbyer si muze pas një vendimi të Këshillit të Ministrave të datës 2 Nëntor 1934. Ndërkohë, më 10 Korrik 2020 me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe me miratimin e presidentit Erdogan, Ajasofja nga muze, u kthye në xhami. Aktualisht Turqia ka rreth 84 700 xhami. Në vend të parë renditet Stambolli me 3 499 xhami. Lind pyetja: Përse ishte e nevojshme hapja e Ajasofjes mes kaq shumë xhamive të tjera?
Është i ditur parimi sipas së cilit, si të ndërtohet pyetja ashtu merret edhe përgjigjja. Ajosofja nuk është thjesht një xhami që rrit me 1 më tepër numrin total të mijëra xhamive në Stamboll. Ajasofja është një simbol i pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit turk. Ky lajm është bërë çështje e ditës në shtypin botëror nga SHBA-ja në Rusi, nga Greqia në Palestinë… Ka nga ata që e kritikojnë, kërcënojnë, madje edhe mallkojnë Turqinë për këtë vendim. UNESCO (Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara) deklaroi se statusi i Ajasofjes, e cila është në listën e trashëgimisë botërore që nga viti 1985, do të rishikohet në mbledhjen e ardhshme. Ka nga ata që frikësohen se UNESCO do e përjashtojë Ajasofjen nga lista e trashëgimisë botërore dhe nuk do e njohë më në këtë listë. Qesharake! Ajasofja është shumë më e “njohur” se UNESCO-ja (themeluar më 16 Nëntor 1945) dhe se vetë OKB-ja (themeluar më 24 Tetor 1945). OKB-ja vetëm se e ka nderuar veten me marrjen e Ajasofjes në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s dhe jo e kundërta. Nuk ka asnjë organizatë apo institucion që mund t’ia rrisë apo pakësojë vlerën Ajasofjes.
Ndoshta pyetja mund të drejtohej ndryshe: Pse pikërisht më 10 Korrik 2020 Republika e Turqisë vendosi të hedhë një hap të tillë?
Ishte i njëjti shtet që vendosi kthimin në muze. Është po ky shtet që vendosi kthimin në xhami. Ngjarjet zhvillohen sipas dinamikës së kohës. Me ndryshimin e dinamikave ndryshojnë edhe vendimet. Ka ardhur koha që Turqia si shtet të jetë zot i fjalës dhe sovran i tokës së vet. Kush mendon se politika e sanksioneve dhe kushtëzimeve do i presë rrugën apo do trembë Turqinë në hapat e saj, ose nuk e njeh aspak gjeopolitikën e kohës ose përdor taktikën e ngritjes së zërit për të mundur fjalën. Por e vërteta është se tashmë kemi një Turqi që dita ditës po shkëput vargonjtë e ndryshkur që s’kanë bërë gjë tjetër vetëm se kanë munduar lokomotivën. Gjatë 18 viteve të fundit, “jo vetëm që është gjuajtur shejtani me gurë, por është bërë edhe tavaf…” Kthimi i Ajasofjes nga një vend në të cilin hyhej me para dhe me këpucë, në një vend ku hyhet falas dhe me abdes është në vetvete një simbol, është simboli i sovranitetit të një shteti legjitim dhe me një taban kulturor e historik mijëravjeçar. Si përfundim, ata që vajtojnë zhbërjen e një muzeu në emër të qytetërimit dhe mbrojtjes së vlerave kulturore botërore, të ndalen e të mendojnë pak, që Osmanët nuk e shkatërruan, rrënuan dhe plaçkitën “Shën Sofinë”, por e rimëkëmbën, e fuqizuan dhe e kthyen atë nga një godinë të vetme, në një kompleks të mirëfilltë me bibliotekë, medrese, hamam, shatërvan, imaret`hane (organizëm bamirësie ku u shpërndahej ushqim të varfërve dhe nevojtarëve.) etj. Historia ka dëshmuar se perandori të ndryshme (të ashtuquajtura qytetërime) kanë dashur të tregojnë se janë të zotët e tokave të pushtuara duke djegur, plaçkitur, rrënuar dhe përdhosur vepra të pazëvendësueshme të artit dhe kulturës botërore. Dhe e kanë bërë! Nëse sot Ajasofja është akoma në këmbë me gjithë madhështinë dhe hijeshinë e saj, kjo falë largpamësisë dhe një këndvështrimi unik të osmanëve të asaj kohe dhe trashëgimtarëve të tyre. Ato që sot çirren se u iku nga duart një muze, mund të lobojnë për Katedralen e Kordobës, por nuk do e bëjnë kurrë, sepse çështja nuk është xhamia apo kisha, çështja është sovraniteti… Rrugë të mbarë Turqi!

Nga: Msc. Elona SYTARI