Ilir Meta: Të mësojmë nga politika maqedonase dhe të kthehemi në shina sa më parë!

Presidenti: "Të nisim me respektimin e ‘5 qershorit’!

Presidenti Ilir Meta përshëndet finalizimin e marrëveshjes historike në Maqedoninë e Veriut, e cila do të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar për tre muaj.

Sipas Metës, ky është një hap pozitiv për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e reformave.

Mes të tjerash, Presidenti thekson se “Duhet të mësojmë prej tyre dhe të kthehemi në shina sa më parë, duke nisur me respektimin e Marrëveshjes së 5 qershorit dhe plotësimin e gjithë kushteve të tjera”.

Mesazhi i Metës:

Finalizimi i marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut është një tjetër hap pozitiv për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e reformave.

Rritja e përfaqësimit të faktorit shqiptar në qeverisje, përfshirë dhe mundësinë e Kryeministrit shqiptar në të ardhmen, është tregues europianizues dhe vitalizues për forcimin e bashkëjetesës.

Pas zgjedhjeve demokratike dhe konkurruese, fqinji ynë ecën me siguri të merituar për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Duhet të mësojmë prej tyre dhe të kthehemi në shina sa më parë, duke nisur me respektimin e Marrëveshjes së 5 qershorit dhe plotësimin e gjithë kushteve të tjera. 🇦🇱🤝🇲🇰