Ata thanë se janë në pritje të konstituimit të kuvendit të ri dhe formimit të një qeverie të re, që do të vazhdojë rrugën e Malit të Zi drejt BE-së.
Në një deklaratë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare në Mal të zi, që u mbajtën më 30 gusht, Borrell dhe Varhelyi thanë se në muajt e ardhshëm, Mali i Zi duhet ta shfrytëzojë mundësinë për të thelluar dhe përshpejtuar reformat politike dhe ekonomike, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
Duke u thirrur në raportin paraprak të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR), ata thanë se procesi zgjedhor është zhvilluar me një debat të polarizuar mbi çështjet e kishës dhe identitetit kombëtar dhe se ka pasur shqetësime për avantazhin e partisë në pushtet dhe raportimin e pabalancuar në media.
Borrell dhe Varhelyi kërkuan nga aktorët politikë dhe institucionet përkatëse që, pas raportit përfundimtar të ODIHR-it, të angazhohen në një dialog transparent, vendimtar dhe gjithëpërfshirës për zbatimin e rekomandimeve.
Dy zyrtarët e lartë evropianë konfirmuan se BE-ja është plotësisht e angazhuar për të vazhduar mbështetjen e procesit të pranimit të Malit të Zi në BE, si dhe për rimëkëmbjen e tij ekonomike pas pandemisë COVID-19.
Të dielën në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në të cilat, për herë të parë pas tri dekadash, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq ka humbur.
Zgjedhjet u fituan nga partitë opozitare që konsiderohen si pro-serbe dhe pro-ruse.
Mali i Zi, përndryshe, konsiderohet lider në procesin e integrimit evropian. Ai ka qenë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka nisur negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian, në qershor të vitit 2012.



