Policia rrugore e qarkut Lezhë ka arrestuar 12 shtetas dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 14 të tjerë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur/nën efektin e alkoolit ose pa leje drejtimi.
Janë ushtruar kontrolle të shumta në të gjitha akset rrugore të qarkut, jo vetëm për menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve rrugore, por dhe për evidentimin, verifikimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetet në gjendje të dehur, që kryejnë manovra të rrezikshme në rrugë, nuk vendosin rripin e sigurimit apo përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.
Nga kontrollet e ushtruara në muajin gusht, janë konstatuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 7 shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 shtetas për drejtim mjeti pa leje drejtimi, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 13 shtetas për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 1 shtetas për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Gjatë muajit gusht janë proceduar administrativisht gjithsej 3992 drejtues mjetesh dhe janë tërhequr 332 leje drejtimi.
Konkretisht janë vendosur:
•1067 masa administrative për parakalime të gabuara;
• 413 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
• 298 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit;
• 1197 masa për tejkalim shpejtësie;
•65 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
• 364 masa për shkelje të ndryshme.
Policia Rrugore e qarkut Lezhë falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të Kodit Rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve.



