Alsar nderon studentët e ekselencës me rastin e diplomimit

U zhvillua sot në sallën e konferencave të Fondacionit ALSAR
ceremonia e nderimit me rastin e diplomimit të studentëve të ekselencës të programit “Bachelor” dhe “Master” për vitin akademik 2019– 2020.

Në këtë veprimtari morën pjesë Kryetari i Fondacionit ALSAR Z.Mehdi Gurra dhe përfaqësues të organizatës IHH me qendër në Hollandë sponsorizues të këtij programi, studentë dhe të ftuar të tjerë .

Në fjalën e tij, kryetari i Fondacionit uroi studentët për mbylljen me sukses të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve, duke theksuar se ky përbën një hap shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tyre, duke vënë theksin në rëndësinë që ka dita e diplomimit, jo vetëm si ditë përmbyllëse e një cikli studimi por si nisje e rrugëtimit të karrierës së studentëve. Ai solli në vëmëndje të të pranishmëve se kjo ditë kurorëzon përpjekjet disavjeçare të studentëve, duke konfirmuar njeherazi se angazhimet dhe kontributi i Fondacionit ALSAR do të vijojë në këtë drejtim për t’i shërbyer më mirë progresit të vendit.
Ai theksoi se tashmë si pjesëmarrës në këtë ditë feste për studentët, ndjehej i privilegjuar të ishte i pranishëm në ndarjen e emocioneve me ta në këtë ditë përmbylljeje të një rrugëtimi të gjatë.

Ceremonia e nderimit të diplomuarve u mbyll me vlerësimin e studentëve ekselente, dhe akordimin e stimujve materiale si një kurorëzim i suksesshëm i programit të bursave të ekselencës të Fondacionit ALSAR.