Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi që u mbajtën më 30 gusht u ndoqën me një interes të lartë edhe në vendet e rajonit, por edhe më gjerë, ndërsa mbetet të shikohet sesi do të konfigurohet qeveria e ardhshme malazeze dhe skena politike e vendit.
Analistë, politikanë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare në Shqipëri dhe Kosovë shprehin vlerësime të ndryshme në lidhje me qeverinë e ardhshme që do të formohet në Mal të Zi dhe politikat që do të ndjekë. Gjersa disa mendojnë se rezultatet ishin brenda pritshmërive dhe kërkojnë unifikim të përfaqësuesve shqiptarë, ka prej prej tyre që thonë se formimi i qeverisë nga ana e partive që deri më tani kanë qenë në opozitë mund të rezultojë me ftohje të marrëdhënieve me Tiranën dhe Prishtinën dhe madje me destabilizim të rajonit.
“Rezultati i zgjedhjeve nuk duhet parë vetëm si një përplasje e brendshme”
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë dhe historiani Paskal Milo, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) në lidhje me rezultatet e zgjedhje tha se mendon që ka qenë një rezultat që pritej, sipas tij, duke pasur parasysh një qeverisje shumëvjeçare të partisë së Milo Gjukanoviçit.
“Sigurisht që partia e tij (Milo Gjukanoviç) doli fituese, por nuk mori numrin e duhur për të krijuar qeverinë siç ka bërë dhe në vitet e shkuara. Nuk është e rastit, ka një numër faktorësh që ndikuan përveç konsumimit shumëvjeçar të tij, të qeverisjes së tij. Por ndikoi edhe vendimi që ai mori para zgjedhjeve për atë që mund ta quajmë nacionalizimin e kishës ortodokse, ku Serbia historikisht ka pasur një rol të rëndësishëm dhe e ka përdorur kishën ortodokse në Mal të Zi edhe si një instrument presioni për të siguruar avantazhe veçanërisht gjatë viteve të fundit kur politika e Malit të Zi filloj të shkëputej nga ajo marrëdhënie tradicionale me Serbinë dhe u orientua me të drejtë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha Milo.
Ai theksoi se rezultati i zgjedhjeve nuk duhet parë vetëm si një përplasje e brendshme midis forcave politike pro-serbe të ndodhura në opozitë dhe partisë së Gjukanoviçit, por, sipas tij, duhet parë në një plan më të gjerë që është një përplasje interesash që është dëshmuar edhe më parë, “por këtë herë u realizua në mënyrë paqësore do të thoja, midis tendencës perëndimore dhe institucioneve të rëndësishme perëndimore dhe influencës, presionit ose ndërhyrjes së kamufluar të Serbisë prapa së cilës pa dyshim që qëndron edhe Rusia”.
Milo mbi situatën paszgjedhore dhe tensionet thekson se “Është shumë shpejt të themi për përplasje, por është tregues i një rivaliteti që ka ekzistuar prej vitesh, por që herë ulet dhe herë ngrihet. Dhe tani mund të themi se në këtë përplasje interesash gjeopolitike të faktorëve ndërkombëtarë me këtë rezultat krijohet terreni që influenca e Serbisë dhe përmes saj edhe e Rusisë në Malin e Zi të mund të shtohet, të mund të jetë më potenciale sesa mund të ketë qenë deri tani”.
Në lidhje me rolin dhe qëndrimin e liderit të lëvizjes URA, Dritan Abazoviç, që është me origjinë shqiptare, nëse bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme, Milo tha: “Unë i kam ndjekur me shumë vëmendje deklaratat që ai ka dhënë pas zgjedhjeve. Në radhë të parë ai ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Milo Gjukanoviçin dhe kjo vetvetiu e çon atë në bashkëpunim me koalicionin tjetër me dy grupime të tjera të këtij koalicioni opozitar, me të cilët edhe ka rënë dakord mbi bazën e tre apo katër parimeve të qeverisjes së ardhshme të Malit të Zi. E shoh, në mos personalisht, partinë e tij të rreshtohet në qeverisjen e ardhshme nëse nuk do të kemi ndonjë lëvizje surprizë, meqenëse tani si parti e parë është partia e Gjukanoviçit që ka të drejtën e negocimit për krijimin e qeverisë së re”.
Ai tha se “Mendoj se në këtë fazë fillestare Beogradi është duke e mikluar Dritan Abazoviçin, është duke e trajtuar si një model sesi duhet të jenë shqiptarët dhe sesi duhet ta konceptojnë shqiptarët bashkëpunimin me serbët. Kështu që nuk kemi arritur ende në atë moment që unë shpresoj që në të ardhmen mund të shikojmë që serbët do të mbesin të pakënaqur. Intuita ma thotë që udhëheqësi i ri shqiptar i partisë URA në rrugë e sipër, në proces e sipër do të fillojë të reflektojë dhe do të ballafaqojë realitetet politike që do të krijohen me qeverisjen e re dhe me synimet serbe dhe këtu ai do të ndeshet. Nuk do të tërhiqen serbet, mendoj unë, në objektivat e tyre në Mal të Zi , por do të reflektojë Dritan Abazoviç në të ardhmen”.
Sipas ish-kryediplomatit Milo, vendimi që ka marrë në parim Dritan Abazoviç, ndonëse sipas Milos, ai është përpjekur që ta shpjegojë në strategjinë e përgjithshme shqiptare të vendosur kjo në rivalitete gjeopolitike që eksitojnë në rajon dhe në Mal të Zi, nuk e ndihmon, sepse “shqiptarët jo vetëm ata, por përgjithësisht rajoni ka vuajtur shumë nga ndërhyrja, nga presioni serb, nga përpjekja për dominim serb, sidomos të Malit të Zi dhe në këtë rast janë dhënë shenjat për nga mënyra sesi u prit në Beograd fitorja e grupit opozitar në Mal të Zi dhe mendoj që nuk do ta ketë të lehtë Abazoviç që të notojë në këto ujëra të cilat mund të çojnë zhvillimet politike në rrjedha në favor të Serbisë”.
“Mendoj që në Mal të Zi në të gjitha variantet edhe sikur të krijohet një qeveri nga forcat opozitare situata do të jetë e tensionuar, situata në të ardhmen nuk do të jetë e qetë, për dy arsye. E para sepse qeveria e re që do të krijohet, që është e njohur për tendencat e saj pro-serbe, do të fillojë të ndërmarrë veprime dhe reforma që do të vijnë në kundërshtim me politikat evropianiste të orientuara nga NATO të qeverisë së mëparshme dhe të shumicës së malazezëve. Kjo patjetër do të sjellë për mendimin tim përplasje në të ardhmen, por shkalla e përplasjeve do të varet nga thellësia e reformave që do të ndërmarrë qeverisja e ardhshme jo vetëm në raport me zhvillimet e brendshme, por edhe në raport me marrëdhëniet me NATO-n, veçanërisht edhe me Bashkimin Evropian”, tha Milo.
Milo ka folur në lidhje më qëndrimet e partive shqiptare dhe rolin e tyre në situatën paszgjedhore, nëse qëndrojnë në opozitë apo në qeverinë e ardhshme. Sipas tij, në Mal të Zi, nëse do të kishte një bashkim të të gjithë faktorëve politikë shqiptarë për të dalë në një listë të përbashkët, do të kishte edhe një fuqi më të madhe mandatesh dhe që sipas Milos do të përkthehej pastaj edhe në influenca të shëndetshme për shqiptarët, por edhe për vetë Malin e Zi.
Ai thekson më tej se “Për fat të keq, në Mal të Zi ndodh ajo që ka ndodhur shpesh me shqiptarët në rajon, që ata në momente vendimtare për të ardhmen e tyre si shqiptarë, por edhe për rolin që mund të luajnë në jetën politike të vendeve respektive, qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoninë e Veriut, qoftë edhe tani në Mal të Zi, nuk dinë, nuk arrijnë të bashkohen, nuk arrijnë të kuptojnë se fjala e moçme ‘bashkimi bën fuqinë’ është shumë e dobishme edhe në këtë rast.”.
“Qeverisja gjithëpërfshirëse do të ishte shumë e dobishme”
Sa i përket rolit të pakicës boshnjake në vend dhe mundësisë për një qeverisje gjithëpërfshirëse duke përfshirë të gjithë faktorët politikë të Malit të Zi, Milo tha se qeverisja gjithëpërfshirëse në një shtet që quhet multientik si Mali i Zi do të ishte shumë e dobishme po qe se do të mund të bëhej. “Por mendoj se realitetet politike dhe etnike të mbërthyera me njëra-tjetrën në Mal të Zi e bëjnë të vështirë realizimin e një qeverisjeje gjithëpërfshirëse dhe jam i prirur të besoj për fat të keq që do të ketë një qeveri e cila shumë shpejt do t’i bëjë malazezët që të reflektojnë, sepse uroj ta kem gabim, do të shkaktojë pakënaqësi dhe tensione të cilat nuk i duhen Malit të Zi tani e në të ardhmen”, tha ai.
Duke folur për marrëdhëniet e shtetit me politikën e kishës ortodokse dhe rolin e kishës ortodokse në skenën politike në Mal të Zi, Milo tha se kisha ortodokse në Mal të Zi ka luajtur një rol gjithnjë të rëndësishëm, sipas tij, për shkak të misionit të saj, të kahershëm historik mes popullsive sllave të rajonit. “Ka qenë një instrument që e ka përdorur edhe nacionalizimi përtej kufijve që mund të ketë një kishë si një institucion shpirtëror e fetar. Besoj se do të vazhdojë të luajë një rol edhe në të ardhmen më të madh se mund të ketë luajtur deri tani nëse kjo qeveri që po krijohet ose është në krijim e sipër, do t’i japë asaj disa të drejta, nëse i quajmë të tilla, që ia mori përmes reformës që bëri qeveria e mëparshme e Malit të Zi”, u shpreh Milo.
Ai theksoi më tej se Serbia e ka pasur dhe e ka kishën ortodokse serbe në Mal të Zi një instrument të saj, duke shtuar se “e ka përdorur dhe në të shkruarën dhe aq më tepër do ta përdorë tani”.
“Zgjedhjet në Mal të Zi prodhuan një rezultat brenda pritshmërive”
Ilir Kalemaj, analist i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zv.rektori i Universitetit New York Tirana nën administrimin e Fondacionit Maarif të Turqisë, në një deklaratë për AA tha se zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi prodhuan një rezultat brenda pritshmërive, me pak befasi. Ai theksoi se befasia kryesore ishte rezultati i koalicionit kryesor opozitar, me orientim pro-serb, ‘Për të ardhmen e Malit të Zi’, nën udhëheqjen e Zdravko Krivokapiç dhe sipas tij, “fati duket se varet nga koalicioni URA i udhëhequr nga shqiptari Dritan Abazoviç i cili ka katër mandate”.
“Përplasjet publike të viteve të fundit mes Gjukanoviç dhe Abazoviç kanë bërë që ky i fundit duke parë disa faktorë si konsumimi që ka sjellë vetvetiu qeverisja e gjatë e DPS dhe Gjukanoviqit, koalicionin laraman që udhëheq ku ka dhe një përqindje serbësh apo pro-serbësh votues në përbërje, faktin gjithashtu që opozita u tregua e shpejtë të pranonte kushtin kryesor politik të tij që qeveria e re të përbëhej vetëm nga ekspertë dhe të përgatiste terrenin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, bënë në tërësinë e tyre që Abazoviç të tregohej i shpejtë në mbajtjen e anës së opozitës dhe refuzimit të koalicionit me partinë e parë DPS”, shprehet Kalemaj.
Në lidhje me rolin që mund të luajnë partitë shqiptare në Mal të Zi, në periudhën paszgjedhore apo edhe në të ardhmen politike të tyre, Kalemaj thekson se “Shqiptarët kanë arritur të materializojnë vitet e fundit disa fitore politike jo të vogla si ajo për Bashkinë e Tuzit, gjasat janë që kësaj radhe të qëndrojnë në opozitë, ndonëse Genc Nimanbegu që ishte dhe njëri prej dy udhëheqësve të Listës Shqiptare në këto zgjedhje la të hapur edhe mundësinë e hyrjes në koalicion me qeverinë e re, por gjithnjë duke respektuar identitetin”.
Ai thekson më tej në lidhje me rolin e partive shqiptare se: “Mendoj se votat e dy përfaqësuesve shqiptarë të dy koalicioneve respektive duhet të jenë të unifikuara në parlament për t’i dhënë më tepër zë dhe substancë qëndrimeve të tyre për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe pakicave të tjera në Mal të Zi dhe kjo mund të arrihet duke arritur një bashkërendim qëndrimesh edhe me koalicionin URA të Abazoviçit, partinë boshnjake, etj. Vetëm kësisoj do të mund të faktorizohen dhe t’i shpëtojnë grackës së margjinalizimit politik nëse qeveria e re do të ketë një influencë të rritur nga Beogradi”.
Si vlerësohet në Kosovë situata e re politike e Malit të Zi për shqiptarët dhe rajonin?
Ekspertët kosovarë për politikë e shohin ndryshe rolin e Dritan Abazoviçit, si përfaqësues i qytetarëve të Malit të Zi, në formimin e qeverisë së ardhshme atje. Derisa disa i mirëpresin pikëpamjet e tij, të tjerë e kritikojnë atë dhe thonë se duhet të jetë më në favor të interesave shqiptare.
Ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Anton Berisha, i cili ka gjithashtu prejardhje nga Tuzi i Malit të Zi por jeton në Kosovë, në një deklaratë për AA tha se tri grupimet opozitare në Mal të Zi mund të kenë 41 deputetë, që përbën shumicën e nevojshme në mesin 81 deputetëve gjithsej në parlament për votimin e qeverisë, ndërsa këtë rezultat e konsideron interesant për faktin se partia e Milo Gjukanoviqit është për një kohë të gjatë në pushtet dhe ka një ekuilibrim të forcave politike atje.
Sa u përket deputetëve shqiptarë në parlament, të cilët do të jenë dy nga partitë shqiptare ndërsa dy të tjerë nga partitë joshqiptare, Berisha thotë se “duhet të jenë pjesë aktive dhe pjesë e proceseve vijuese e jo të përjashtojnë veten”.
“Se çfarë do t’u sjellë pushteti i ri, varet edhe nga vet aftësia e tyre për t’iu përshtatur rrethanave të reja”, thotë Berisha.
Për ish-zëvendësministrin e Jashtëm kosovar, politikani me origjinë shqiptare në Mal të Zi, Dritan Abazoviç, që përbën edhe çelësin e qeverisë së re atje, është një politikan ambicioz, bashkëkohor dhe inteligjent.
“Rezultatet në Mal të Zi kanë treguar kapërcimin klasik të ndarjes në dy blloqe: atë të pavarësisë dhe shtetësisë dhe kundër saj. Me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, kjo etapë është përfunduar dhe tash kemi një zgjerim opsionesh që shkojnë kah orientimi qytetar. Pikërisht, kësaj linje i përket edhe z. Abazoviç, si një politikan ambicioz, bashkëkohor dhe inteligjent. Qëndrimet e tij politike japin për të kuptuar një harmoni me aleatët perëndimorë dhe është e qartë se nuk mund të ketë kthim prapa të rrugës së Malit të Zi në rrugën e integrimit në BE”, thotë Berisha, i cili shton se sa i përket Kosovës, nga qeveria e re në Mal të Zi nuk pret ndonjë ndryshim raportesh.
“Shqetësuese që partitë që aspirojnë pushtetin kanë orientim të ndryshëm nga ai që duhet të ketë rajoni”
Njohësi i rrethanave politike në Mal të Zi, politikani Lirak Çelaj, ndryshe nga Berisha, thotë se edhe pse Abazoviç shprehimisht deklaron se është krenar që është shqiptar, me vepra nuk e tregon një gjë të tillë. Çelaj pohon se partia e Abazoviçit nuk është me bazë etnike por qytetare “që është një lloj mbulese e orientimeve të tij jo pro-shqiptare”.
Sa i përket rezultatit zgjedhor që solli rënien e pushtetit të vjetër në Mal të Zi, Çelaj thotë se në rrethana normale, një shtet i cili nuk është i sulmuar nga jashtë nga gjeopolitika siç është tash Mali i Zi, do të ishte normale, sepse, partia e Gjukanoviqit është për një kohë të gjatë në pushtet. Por, siç thotë ai, mënyra se si po ndodh ndryshimi atje është pak shqetësuese “ngase ka përpjekje serbo-ruse për ta rikthyer Malin e Zi në sferën e interesit të tyre, të cilat veçse dhanë një rezultat”.
Lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi me qeverisjen e re, Çelaj thotë se ata edhe ashtu nuk kishin të drejtat që u takonin edhe para ndryshimit potencial të pushtetit, si dhe nuk u shpërblyen në mënyrë adekuate për kontributin e tyre në shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi pas një referendumi të suksesshëm.
“Partia e Gjukanoviçit i ka shpërfillur këto të drejta vazhdimisht. Madje, i sulmonte shqiptarët edhe në elektoratin e tyre dhe si rezultat kemi edhe procesin e asimilimit që është pothuajse i gjallë. Në shumë komuna (me shqiptarë), siç është Tuzi, marrja e pushtetit ishte e rrezikuar nga partia e Gjukanoviçit sepse ai pretendonte ta merrte pushtetin”, tha Çelaj për AA.
Ai thekson se është shqetësuese që subjektet politike që aspirojnë të formojnë Qeverinë e Malit të Zi kanë një orientim krejtësisht të ndryshëm nga ai i shqiptarëve në përgjithësi dhe që duhet të ketë i gjithë rajoni, e që është orientimi euro-atlantik.
Çelaj pret që nëse partitë e opozitës formojnë qeverinë në vendin fqinj, do të ketë ftohje marrëdhënieve jo vetëm me Kosovën dhe Shqipërinë, por do të ketë destabilizim edhe të rajonit.
“Atmosferën që po e shoh në Mal të Zi, në rast se ndodh, në rast se partitë që pritet ta marrin pushtetin nuk na befasojnë me sjellje të mirë, nuk është larg mendsh të parashihet edhe ndonjë konflikt ose tensione të brendshme, brenda Malit të Zi. Pikërisht për shkak të gravitetit që kanë këto subjekte politike. Sepse këto gravitojnë nga Serbia dhe do të jenë subjektet dhe etnitë që janë kundër saj e kjo mund të reflektojë edhe me trazira”, thotë Çelaj.
Në pritje të epilogut të zgjedhjeve parlamentare në Malin e Zi, të mbajtura më 30 gusht, ata që e njohin situatën politike janë të ndarë për formimin e qeverisë së ardhshme në Mal të Zi, por janë dakord se një “vjeshtë e nxehtë” do të vijojë në atë vend.



