Detaje të reja kanë dalë ditën e sotme në lidhje me lajmin që publikoi dje gazeta “Bota Sot” për sulmin në familjen e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ku thuhej se ky i fundit ka rrahur bashkëshorten e tij Anita. Burime nga urgjenca e qytetit kanë thënë për Bota sot, se në urgjencën e tyre ka mbërritur një rast i dhunës familjare, ku e dëmtuar fizikisht ka qenë Anita partenerja e Haradinajt.
Po ashtu burimet bëjnë me dije se në shtëpinë e ish- kryeministrit kanë mbërritur një ekip i mjekëve por Ramushi ka pranuar që vetëm dy prej tyre të futen brenda dhe të merren me mjekimin e Anitës.
Sipas mediave kosovare mjekët nuk pranojnë që të dalin publikisht të flasin për rastin në fjalë edhe pse kanë qenë vetë ata që kanë konfirmuar se Ramush Haradinaj ka rrahur gruan e tij. Mjekët janë shprehur se kanë frikë që ta bëjnë publik rastin.
Ndërkohë që më herët, gazeta “Koha Ditore” ka raportuar një tjetër raste dhuna nga familja Haradinaj. Në këtë rast, u raportua se vëllezërit Ramush e Daut Haradinaj, para rreth tre muajve janë denoncuar në polici për “rrahjen e një punëtori të tyre”. Këtë rast e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Por pas dy javësh denoncuesi ka shkuar në stacion policor dhe ka kërkuar që rasti të mbyllet.
Dje, Bota.sot, raportoi se në Urgjencën e Prishtinës, është paraqitur e rrahur, bashkëshortja e Haradinajt, Anita. Gazeta Express, më pas ka marrë në telefon Anita Haradinajn, e cila thotë se e ka lexuar artikullin e Botasot, por mohon që ndaj saj të jetë ushtruar dhunë. Ajo thotë se është në Durrës dhe jo në Prishtinë, dhe shton se kurrë, Ramush Haradinaj nuk ka ushtruar dhunë ndaj saj.


