Kryeministri i Kosovës u shpreh në konferencën me Komisionerin për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi se në 4 muaj qeverisje, fjala “korrupsion” u hoq nga debati publik në Kosovë.
“E them me kënaqësi, që në 4 muajt e qeverisjes sonë, fjalën “korrupsion” e kemi largu nga diskursi publik. Dhe kemi tregu vendosmëri të madhe në luftimin e krimit të organizuar. Aksionet që janë zhvillu para dy jave, po vazhdojnë ende dhe do t’i shihni edhe tjerat në ditët në vijim në gjithë vendin pa përjashtim për të vendosur rend dhe ligj cep më cep me mbështetje të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Hoti.
Më tej, Hoti tha se Varhelyi i ka premtuar Hotit më shumë investime për Kosovën. “Komisioneri i BE-së na solli një lajm fantastik, planet e investimeve për rimëkëmbjen ekonomike për Ballkanin Perëndimor në vlerë totale prej 28 miliardë eurosh, 9 miliardë janë grant që i jepen Ballkanit Perëndimor. Ky është lajmi fantastik që Varhelyi solli në Prishtinë… Projektet që kemi propozuar si Qeveri janë përfshirë plotësisht, përfshirë autostradën Prishtinë-Merdarë, hekurudhën Prishtinë-Merdarë, projekti për ujërat e zeza në Prishtinë, projekti për fazën e dytë të Ibër-Lepencit dhe projekte të tjera”, tha Hoti.
Ndërkohë që vetë Komisioneri tha se duhet punuar për të bindur vendet e BE për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Nuk ka asnjë takim që nuk e kemi diskutuar këtë çështje. Po përpiqemi t’i bindim shtetet anëtare që t’i ofrohet liberalizimi qytetarëve të Kosovës sepse vlerësimi ynë mbetet se i keni përmbushur të gjitha kushtet por nuk mjafton vetëm vlerësimi ynë, duhet t’i bindim shtetet anëtare”, tha ai.
Ai theksoi investimet që BE ka në plan të bëjë në Kosovë. “E kam fjalën për realitetin ekonomik të bizneseve, qytetarëve, dhe mendoj se plani i investimeve ekonomike mund të jetë ndryshim i lojës në rajonin dhe mund të ndryshojë peizazhin në këtë rajon. Siç e theksoi edhe kryeministri, ne po ndajmë 9 milionë euro në grante dhe me koordinimin me institucionet do të krijojmë edhe 20 miliardë shtesë. Presim që ky plan do të rrisë ekonominë e rajonit deri 5 për qind dhe ky është kontribut i konsiderueshëm për rimëkëmbjen ekonomike”, tha Verhelyi.


