Nga 1 janari, të gjitha bizneset që kanë marrëdhënie me shtetin do të lëshojnë vetëm faturë elektronike si dokumentacion të vlefshëm tatimor, në bazë të ligjit të ri për fiskalizimin.
Ky është hapi i parë për vënien në funksionim të sistemit të ri të fiskalizimit, i cili do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si bizneset sot kryejnë faturimet.
Nga 1 korriku 2021, sistemi i ri do të fillojë të zbatohet për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe nga 1 shtatori i vitit të ardhshëm është ndryshimi më i madh, pasi do të fillojë zbatimi për transaksionet me para në dorë për të gjitha bizneset.
Për fazën e parë, administrata tatimore ka filluar të njoftojë bizneset, që kanë marrëdhënie me shtetin, që të marrin masat e nevojshme, shkruan Monitor.
“Në kuadër të procesit të fiskalzimit, Administrata Tatimore ka kryer analiza dhe verifikime të nevojshme për ti paraprirë zbatimit të mënyrës së re të faturimit. Nga këto verifikime, rezulton që, përgjatë periudhës Janar 2019 – Gusht 2020 Ju keni kryer të paktën një furnizim kundrejt tatimpaguesve Ent Publik.
Në zbatim të nenit 48, të ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, ju bëjmë me dije se, duke filluar nga data 1 Janar 2021, për furnzimet e mallrave dhe/ose shërbimeve të kryera për Entet Publike, Ju do të lëshoni vetëm faturën elektronike si dokumentacion të vlefshëm tatimor”, thuhet në njoftimin e dërguar subjekteve.
Për të lëshuar faturat elektronike, bizneset duhet që të mundësojnë paraprakisht elementët e mëposhtëm:
-Pajisje elektronike (kompjuter, laptop, tablet, etj.);
-Zgjidhje software të ofruar nga një subjekt i certifikuar;
-Mirëmbajtës të certifikuar të zgjidhjes softëare-ike;
-Lidhje të pandërprerë me internet;
-Certifikatën elektronike për fiskalizimin e cila merret pranë AKSHI-t.
Përsa i përket zgjidhjeve software-ike të faturës elektronike, aktualisht shumë subjekte në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit janë në fazën e testimit dhe zhvillimit. Përgjatë javëve në vijim, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të publikojë emrat e subjekteve që do të certifikohen të cilët do të kenë të drejtë të tregtojnë zgjidhje software-ike për fiskalzimin e faturës elektronike, sqarojnë tatimet.
Administrata Tatimore njofton se nxit përmbushjen vullnetare të detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni tatimor, për t’u përgatitur paraprakisht me te gjithë elementët e nevojshëm për këtë proces të rëndësishëm.



