Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE), që kishte në fokus diskutimet mbi kapitullin 24 në negociatat me Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
I ftuar në takimin që u mbajt online ishte ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, i cili informoi anëtarët e këshillit “mbi progresin e realizuar dhe sfidat në kuadër të kapitullit 24”.
Ministri Lleshaj tha se Ministria e Brendshme është një nga institucionet me peshë në procesin e integrimit evropian të vendit, sipas tij, duke qenë se është përgjegjëse për kapitullin 24, i cili përbën një nga kapitujt që lidhen me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.
“Ministria është e ndërgjegjshme për peshën dhe përgjegjësinë e madhe që ka ndaj qytetarëve për të plotësuar dhe informuar qytetarët mbi këtë proces jetik për vendin”, tha Leshaj.
Gjatë fjalës së tij, ministri Lleshaj tha se Shqipëria ka bërë një punë të rëndësishme sa i përket rritjes së kapaciteteve kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.![]()
“Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka vendosur marrëveshje pune me të gjitha njësitë e Bashkimit Evropian. Gjithashtu një punë e madhe është bërë dhe për përmirësimin e kapaciteteve për të pritur flukset e migracionit”, deklaroi Lleshaj.
Nënkryetari i KKIE-së, Taulant Balla, tha se pas publikimit të raportit nga Komisioni Evropian për Shqipërinë, “ndodhemi në prag të marrjes së vendimit për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare”.
“Këtij këshilli i takon të përcjellë një mesazh që Shqipëria vazhdon të jetë e ankoruar në projektin historik, pikërisht në atë integrimit në familjen evropiane”, tha Balla.
Të pranishëm në mbledhjen e KKIE-së ishin dhe përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë dhe institucione të tjera.
Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian është struktura më e lartë këshillimore kombëtare në Shqipëri për integrimin evropian, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile.



