Gjykata Administrative ka rrëzuar padinë e një prej kandidatëve për të qënë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Ardit Elbasani, i cili pretendon për parregullsi në procesin e përzgjedhjes së 60 oficererëve që do të punojnë në FBI-në shqiptare.
Ardit Elbasani, kërkoi bllokimin e garës edhe pse BKH e pranoi gabimin në skualifikimin e tij nga gara, por gjithçka është pezulluar nga Administrativja.
Përpos Ardit Elbasanit, Komisioni i Vlerësimit në BKH është paditur edhe nga 7 aplikantë të tjerë, të cilët pretendonin se ka pasur manipulim në rezultatet e garës, sidomos për testin fizik.
Për pretendimet e kallëzuesit, reagoi vetë BKH-ja, e cila pranonte gabimin duke ia lënë “fajin” programit Exel dhe shtoi se kandidati kishte të drejtë për ankesën e bërë dhe se do të përfshihej në testin e shkrimit të esesë.
Ndërkoha gara për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe për përzgjedhjen e 60 oficerëve të BKH-së ndodhet në fazën e fundit por me gjasë do të nisë edhe një herë të dytë pasi deri më tani janë kualifikuar vetëm 55 kandidatë. Edhe këta mund të mbeten më pas, pasi do të përzgjidhen në bazë të intervistave.


