Vrasja e 25-vjeçari Klodian Rasha ka tronditur familjarët e tij. Babai i tij e ka përjetuar keq vrasjen e të birit nga efektivi i Policisë dhe është dërguar me urgjencë në spital në gjendje shoku. Nuk dihen detaje të tjera lidhur me gjendjen shëndetësore të të moshuarit.
E gjithë ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate. Efektivi i Policisë i mbetur vetëm me 25-vjeçarin Klodian Rasha e ka qëlluar me armën e shërbimit duke e plagosur për vdekje. Edhe pse u dërgua me urgjencë në spital, 25-vjeçari nuk u mbijetoi plagëve të marra.
Vetë Policia ka dhënë versione të ndryshme, duke pranuar se nuk kishte armë, deklaratë që e rrëzoi vetë pak më vonë. Prokuroria dhe SHÇBA po ndjekin ngjarjen për të parë nëse kemi të bëjmë me tejkalim të kompetencave të policisë apo jo.



