Kur ka kaluar thuajse një vit nga zhdukja e trupit të pajetë të Jani Prengës, shpresat duket se ende nuk janë shuar. Drejtoria e Policisë së Tiranës, së bashku me ndihmën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë nisur sërish kërkimet në terren.
Me ndihmën e një qeni gjurmues, efektivët e Policisë së Shtetti kanë zbarkuar në fshatin Pjezë në Shijak për të kërkuar ndonjë gjurmë në Prengës, edhe pse në atë zonë nuk kanë gjetur asgjë as nga kërkimet e mëparëshme.
Nuk dihet se përse krejt papritur, kërkimet për trupin e tij kanë nisur sërish. Ka pasur ndonjë indicie nga banorë të zonës apo ka folur ndonjë prej të prangosurve.
Prenga u rrëmbye dhe u vra më datë 17 janar të këtij viti, ndërsa ende nuk është gjetur trupi i tij. Fillimisht RENA zbarkoi në Shijak dhe u vu në ndjekje e në arrestim të grupit Hajri, pronarë të kompleksit “Golden”, kamerat e të cilit fokusuan trupin e Prengës teksa futej në resort dhe dilte i pajetë në duart e dy vëllezërve, Altin dhe Emiljano Hajri. Policia ka ndaluar 5 të dyshuarit kryesorë për ngjarjen.
Bëhet fjalë për dy kushërinjtë; Elton e Leonard Hajrin dhe babain e Altinit, Bajram, 64 vjeç dhe Festim Bexhdilin, ky i fundit dyshohet se dogji rrobat e viktimës dhe është personi kyç që mund të zbardhi vendin ku u varros babai i pesë fëmijëve. Por deri më tani nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë për të treguar vendin ku prehet Jani Prenga.



