Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Nikoll Sherrnikun, i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e efektivit të FNSH, Xhulio Prela.
Avokati i Sherrnikut deklaroi se vendimi i marrë nga gjykata është i pambështetur në prova.
“Gjykata ka marrë një vendim të gabuar. Ky vendim nuk është mbështetur në prova. I dyshuari është i pafajshëm”, ka thënë avokati.
Sipas avokatit të Sherrnikut, klienti i tij, ditën e vrasjes së Prelës ka qenë duke festuar ditëlindjen.
Gjykata e Lezhës ka vendosur për Nikoll Sherrnikun masën e sigurisë “arrest me burg”, duke e lënë pas hekurave deri në përfundimin e hetimit për vrasjen e Xhulio Prelës. Ndërkohë Dosja.al ka mësuar se ai është vetëdorëzuar më 19 dhjetor për të sqaruar gjithë ngjarjen. Ndërsa i akuzuari tjetër, Brilant Martinaj, ndodhet për arsye shëndetësore në Turqi. Dje u zbulua se në ngjarje ka qënë i përfshirë edhe një person i tretë por ende nuk dihet identiteti i tij.


