Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar lidhur me largimin e Eliot Engel nga Kongresi Amerikan, të cilin e konsideron një mik të sprovuar të shqiptarëve.
Meta thotë se Engel ka spikatur si përkrahës i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për të konsoliduar të gjitha arritjet e deritanishme në Ballkan për paqen, stabilitetin, sigurinë, demokracinë e shtetin ligjor.
Postimi i plotë i Metës:
Përherë mirënjohës mikut të sprovuar të kombit shqiptar, z.Eliot Engel, për mbështetjen e jashtëzakonshme të dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për rolin e rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë, si dhe për kontributin e pakursyer dhe shumë të çmuar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
Avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kongresin Amerikan, jo vetëm si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, z.Engel ka bërë përpjekje të palodhura për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane dhe lidhjes tonë transatlantike.
Si njohës i shkëlqyer i rajonit, z.Engel ka spikatur gjithashtu edhe si përkrahës i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për të konsoliduar të gjitha arritjet e deritanishme në Ballkan për paqen, stabilitetin, sigurinë, demokracinë e shtetin ligjor.
Jam i bindur se mbështetja dhe bashkëpunimi i tij do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, në interes të forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.


