Gruaja e 59 vjeçarit, Përparim Ademi, i cili akuzohet për vrasjen e motrave Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi ka folur para mediave duke thënë se ka kërkuar mbrojtje nga shteti se e kanë kërcënuar. Vjollca Telo rrëfeu se akuzat për trafik fëmijësh nuk janë të vërteta dhe i dinte marrëdhëniet e burrit me dy motrat, të cilat u ekzekutuan mëngjesin e 31 Dhjetorit 2020.
“Unë kam kërcënime në shtëpi, mi kanë ardhur gocës tre veta, burri i denoncoi. Unë kam kërkuar mbrojtje nga shteti, i kanë ardhur fëmijës që në mëngjes dhe i kanë shkuar te dera dhe e kanë bërë fëmijën copë nga këmbët. Do të kërkoj mbrojtje nga policia dhe nga shteti dhe kërkoj që të iki nga ky vend, të zhdukem ose të vijnë të më vrasin.
Nuk janë të vërteta për trafikim fëmijësh, unë kam pas hyrje dalje me këto, e kam ditur që burri ka pas marrëdhënie e kam pranuar për të mos shkatërruar familjen. Unë e di se burri im e bëri vrasjen, po nuk e kam shtyrë unë. Unë kam ngrënë, kam pirë me to, kemi shkuar në Pogradec, kemi qenë në Greqi. Njoh vëllain e vet, njoh Bashkimin. Para një jave më solli pako nga Franca. A doni t’ju nxjerr perdet e mia dhe atletet e çunit që më ka sjellë Bashkimi? Nuk kanë pasur asnjëherë zënka. Kam 2 goca, 1 çun. Kam marrë çunin e Zhanit në telefon se do i çonte çuni im 100 mijë lekë për të ngrënë bukë”, ka thënë ajo.
Përparimi dyshonte se Zhaneta Metani e tradhtonte, ndaj kreu ekzekutimin e dy motrave në banesën e tyre. Debatet nisën me datën 25.12.2020 në një drekë familjare ku Përparimi ka debatuar me një shtetas tjetër që ishte i ftuar nga motrat dhe që quhej Altin.
“Kur vajta më datën 30 Dhjetor në shtëpinë e motrave pashë që Zhaneta ishte shumë e shqetësuar dhe ka mësuar se Përparimi e kishte marrë në mëngjes me dhunë, e kishte çuar në rrugën e Elbasanit ku ishte kërcënuar nga ky i fundit i cili e kishtë qëlluar me armë në afërsi të dy këmbëve duke e kërcënuar. Më pas ka mësuar se Përparimi e kishtë përdhunuar në një hotel pranë 21 Dhjetorit.
Motra tjetër Kristina mori në telefon bashkëshorten e Përparimit dhe e njoftoi për ngjarjen. Aty mësova se Kristina foli dhe me Përparimin që kërkoi falje duke premtuar se nuk do e përsëriste më. Fillmisht motrat donin të bënin kallëzim por kur u bindën nga Përparimi se nuk do e përsëriste më vendosën të kërkonin vetëm urdhër mbrojtje. Të nesërmën kur jam zgjuar dëgjova një krismë, më pas kam dëgjuar breshëri dhe ulërima.
Nipi, djali i Zhanetës pa Përparimin të ulur në divan me armën drejtuar tek mjekra dhe më pas ka shtënë por plumbi ka ikur lart. Në këtë moment ai ka mbyllur derën dhe ka folur me dajën e tij i cili i ka kërkuar të shikonin nëse personat ishin gjallë. Ne pamë që tek frigoriferi kishte një plumb dhe nga frika e gazit dolëm jashtë”, tha motra tjetër e viktimave, Anxhela.


