Rreziku i fshehur në ekrane

Për shekuj me rradhë, bota është nën ndriçimin e dritave artificiale, prodhim ky i vetë njeriut i cili gjithashtu vazhdon të jetë i ekspozuar ndaj këtyre burimeve. Veçanërisht, me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë, drita artificiale nuk prodhohet vetëm nga burimet ndriçuese po edhe nga disa pajisje teknologjike që na rrethojnë. Aventura jonë me ekranet, e cila filloi me televizionin, ka kaluar në një dimension krejt tjetër si shkak i përdorimit të telefonave celularë. Sot ndodhemi nën një rrethim total të ndriçimit artificial të televizionit, kompjuterit, celularit si dhe dritave LED. Rreziku i fshehur gjendet pikërisht në rrezatimin e dëmshëm blu-vjollcë që ky lloj ndriçimi përhap.
Në të vërtetë, rrezatimi i ashtuquajtur “drita blu” është i dobishëm për njeriun. Arsyeja e kësaj qëndron tek nevoja që organizmi ynë ka për dritën e ngjyrave blu dhe bruz. Drita që ne shohim në qiell e cila ndodhet pikërisht midis këtyre dy ngjyrave, ka dobi dhe vlera të shumta në trupin e njeriut si; realizim i shëndetshëm i funksionit vizual, rritje e kohës së vëmendjes dhe fokusimit, funksionimi korrekt i qelizave të trurit, ruajtja e ekuilibrit të kujtesës e cila është e lidhur ngushtë me rutinën e gjumit si dhe qëndrimi në formë gjatë gjithë ditës. Këtë lloj drite ne tashmë e marrim në doza të mjaftueshme gjatë ditës ku rrezatimi është natyral dhe i shëndetshëm. Sidoqoftë, këto nuk vlejnë për rrezatimin e dritave blu-vjollcë që marrim nga ndriçimi artificial. Fakti që kjo lloj dritë e cila na rrethon çdo kohë si pasojë e përdorimit të mjeteve të teknologjisë, është më së shumti aktive gjatë orëve të pasdites ose natës, e bën këtë rrezatim edhe më të dëmshëm për organizmin tonë.
Në mbrëmje kur fikim dritat, ambienti përfshihet në errësirë të plotë dhe kjo bëhet shkak për dërgimin e disa sinjaleve drejt sistemit nervor. Gjatë këtij proçesi, hormoni i melatoninës aktivizohet dhe sekretohet duke sjellë si rezultat gjumin. Por në qoftë se në këtë errësirë ne vazhdojmë të shohim ekranet e mjeteve teknologjike (celular, televizor, kompjuter etj), rrezatimi i dritave artificiale pengon aktivizimin e melatoninës. Si pasojë, ne përballemi me negativitete të tilla si cilësi e dobët e gjumit, vështirësi në gjumë dhe lodhje fizike apo psikologjike gjatë ditës.
Bllokimi i hormonit të melatonines nuk është një element shqetësues vetëm për gjumin. Në të njëjtën kohë, mosaktivizimi i këtij hormoni ndikon drejtpërdrejtë në sistemin tonë imunitar vlerën e së cilit e kemi kuptuar edhe më mirë gjatë periudhe pandemike që po kalojmë. Një ndër pasojat më të rënda që mosfunksionimit të plotë të melatoninës është edhe shfaqja e kancerit. Falë vetive të tij antioksiduese, hormoni melatonin parandalon formimin e disa toksinave që shaktojnë dëmtim të indeve trupore. Një tjetër efekt i këtij rrezatimi është edhe plakja e shpejte. Kjo teori bazohet ne një eksperiment gjatë së cilit u përdorën insektet e frutave. Duke i ndarë në dy grupe, një pjesë e insekteve ishin të ekspozuara ndaj dritave LED për 12 orë, ndërsa pjesa e mbetur u mbajtën larg saj. Si rezultat, është vërejtur se insektet e ekspozuara jetonin me pak se grupi tjetër. Përveç kësaj, në këto insekte janë zbuluar disa çrregullime te tjera neurologjike.
Gjatë ditës, secili prej nesh përdor mjetet teknologjikë për një periudhë të gjatë kohe, qoftë edhe pa pasur nevojë. Fokusimi i tepërt tek këto mjete jo vetëm që dëmton jetën tonë sociale por gjithashtu përbën një element kryesor në dëmtimin e sistemit nervor. Pas një gjumi me shqetësime dhe me cilësi te dobët, secili nga ne përballet me vështirësi gjatë punës apo në cfarë do ambienti ku ndodhemi. Kohët e fundit, shpërqëndrimi është një ndër shqetësimet kryesore të një individi. Për të shmangur këtë, mund të reduktojmë përdorimin e teknologjisë për sa kohë nuk na nevojitet dhe mbi të gjitha para orarit të gjumit. Veçanërisht duhet të kemi kujdes me fëmijët të cilat cdo ditë dhe më shume janë të ekspozuar ndaj këtij fenomeni.
Në këtë periudhë pandemie, distanca sociale mes nesh është rritur ndjeshëm. Por sa më shumë qe largohemi nga njëri tjetri, aq më shume po afrohemi me rrjetet sociale apo teknologjinë. Më shumë se asnjëherë organizmi ynë ka nevojë për rrezatimet e shëndëtshme të natyrës dhe qëndrimin sa më larg ndaj ndriçimit artificial.
Nga ana tjetër, vështrimi drejt qiellit rrit afrimitetin shpirtëror mes njerëzve. Ndoshta në këtë mënyrë distancat me njëri tjetrin mund të shkurtohen sado pak, qoftë edhe shpirtërisht.