Burimet e sigurisë kanë bërë të ditur se 11 persona të dyshuar për lidhje me organizatën terroriste FETO u arrestuan në Turqinë perëndimore teksa po përpiqeshin të arratiseshin në Greqi në mënyrë të paligjshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Ekipet e rojeve bregdetare në qarkun Marmaris të provincës jugperëndimore Muğla filluan operacionin të premten për të kapur një grup të dyshuarish të FETO-s pasi mësuan se të dyshuarit po përpiqeshin të arratiseshin në Greqi, tha burimi në kushte anonimiteti për shkak të kufizimeve për t’u prononcuar për mediat.
Gjatë aksionit u arrestuan 11 nga 13 të dyshuarit e FETO-s, përfshirë ushtarë të shkarkuar, oficerë të policisë si dhe mësues, për të cilët po vazhdonin procedurat gjyqësore.
Burimet bëjnë të ditur se njëri nga të dyshuarit iu caktua arrest shtëpiak, ndërsa procedurat ligjore po vazhdojnë në një stacion policie për një të dyshuar tjetër.
FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA Fetullah Gulen orkestruan tentativën për grusht shteti më 15 korrik 2016, në të cilën ranë 251 dëshmorë dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.
Turqia gjithashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për përmbysjen e shtetit përmes infiltrimit të ithtarëve të saj në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.



