A do të kandidojë për President? Ja si përgjigjet ish-kryedemokrati Lulzim Basha

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë këtë të diel në Shkodër, ku është takuar me disa demokratë. I pyetur nga mediat rreth deklaratave të ish-kryeministrit Berisha, se ish-kryedemokrati do të ishte kandidat për president, Basha tha se refuzon gënjeshtrat, duke shtuar se sot në PD janë mbledhur rreth non gratas dhe anti-vlerave.

“Mos bini pre e trukeve. Çdo ditë non gratat shpallin gënjeshtra për të hequr vëmendjen nga e vërteta. Demokracia është në krizë, ekonomia në krizë dhe shoqëria në krizë. Nuk ka gënjeshtër për të hequr vëmendjen nga të vërtetat”, tha Basha për gazetarët.
Ndërsa i pyetur nëse do të rikandidonte për kryetar të Partisë Demokratike, ai u shpreh se nuk bëhet fjalë për kandidim apo rikandidim, por për vlerat e Partisë Demokratike.

“Nuk bëhet fjalë për kandidim apo rikandidim. Nuk do ti jap luksin askujt e as më pak dikujt që lufton për veten e tij që unë të flas për veten time. Nuk jam këtu për veten time, por për vlerat e PD dhe për vlerat dhe kontributet e demokratëve”, tha Basha.
“Këtu është momentin për të thënë diçka, i çliruar nga kufijtë protokollarë. Prej kohësh debati zhvendoset aty ku i leverdis një grushti njerëzish dhe jo aty ku duhet të jetë në interesin e shqiptarëve.

Një grusht njerëzish mbajnë peng politikën dhe përmes politikës dinjitetin dhe të ardhmen e vendit.
Bashkimi bëhet rreth vlerave. Nuk mund të ketë PD kartën morale të shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga një regjim i pakicës, nëse braktis lajtmotivin që ka lindur që janë vlerat perëndimore.

PD nuk bën dot përpara me non gratat dhe pa u shkëputur nga kultura e fshehjes së të vërtetës. PD nuk bën dot përpara pa e parë të vërtetën në sy. Më 6 mars beteja e vërtetë është beteja mes vlerave dhe anti-vlerave. Bashkëpunimi i non gratave mund të ketë funksionuar, por një gjë është e qartë dhe këtë e di çdo shkodran. Kështu nuk ecet më. Përpara do të ecim me vlera, duke vepruar. Në emër të këtyre vlerave unë kam hedhur hapat e mi”, u shpreh Basha.