Autoritetet turke kanë arsye të ndjehen të lehtësuar. Tani për tani, Shtetet e Bashkuara nuk po planifikojnë sanksione ndaj Ankarasë edhe pse ato ishin paralajmëruar për një kohë të gjatë.
“Shtetet e Bashkuara aktualisht nuk po shikojnë në drejtim të vendosjes së sanksioneve ndaj Turqisë për shkak të blerjes së sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore”, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Megjithatë, ai nuk e përjashtoi mundësinë që të ndodhë diçka e tillë.
Vlera e monedhës turke shënoi ngritje menjëherë pas deklaratave të Trumpit.
Blerja e sistemit rus të mbrojtjes raketore nga ana e Ankarasë ka zemëruar Uashingtonin dhe thirrjet e njëpasnjëshme për të hequr dorë nga këto plane, nuk patën sukses.
Një pjesë e këtij sistemi ka mbërritur nga Rusia në Turqi.



