Abelard Tahiri: Do të kujdesemi që Lugina e Preshevës mos të mbetet luginë e dëshpërimit

Ministri Tahiri theksoi se Lugina e Preshevës nuk mund të mbetet “luginë e dëshpërimit dhe as e shpopullimit

Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri, ka pritur në një takim në Prishtinë kreun e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Drejtësisë njoftoi se Tahiri pas takimit me Mustafën ka thënë se Kosova dhe institucionet e saj duhet të kenë një agjendë të mirëfilltë dhe sistematike që adreson çështjet e popullit shqiptar në Luginën e Preshevës, në mënyrë që të ketë rigjenerim në planin socio-ekonomik dhe socio-politik e kulturor.

“Për shkak të përbërjes etnike, Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet një ndër rajonet më të diskriminuara në Evropën Juglindore, si pasojë e politikës dezintegruese të Serbisë dhe kjo nuk mund të tolerohet brenda një vendi që aspiron Bashkimin Evropian”, tha Tahiri.

Ai theksoi se Lugina e Preshevës nuk mund të mbetet “luginë e dëshpërimit dhe as e shpopullimit dhe se ajo ka nevojë për mbështetjen dhe sensibilizimin tonë në rrafshin ndërkombëtar për kufizimet e një pas njëshme që pushteti serb i vendosë ndaj kësaj zone”.

Ministri Tahiri tha se Lugina ka nevojë për investime dhe për edukim, ndërsa shtoi se “kemi obligim që ndaj kësaj pjese të banuar me shqiptarë të stimulojmë zhvillimin ekonomik e social dhe kultivimin akoma më të fuqishëm të lidhjeve tona kulturore”.

Lugina e Preshevës si tërësi shtrihet në një territor prej mbi 1 mijë kilometra katrorë, në të cilin jeton një popullatë shqiptare rezidenciale prej rreth 100 mijë banorëve, që aktualisht përbëjnë rreth 80 për qind të popullsisë së përgjithshme rezidenciale të rajonit.

Kjo pjesë, kohët e fundit është përfolur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, se nëse ka pajtueshmëri në dialogun Kosovë-Serbi do të mund t’i bashkohet Kosovës.