Afganistan, shkon në mbi 100 numri i të vdekurve dhe të plagosurve nga sulmi me bombë në një xhami

Të paktën 100 persona e kanë humbur jetën dhe janë plagosur në një sulm me bombë në një xhami shiite gjatë namazit të xhumasë, në zonën Sayed Abad, në rajonin Kunduz në veri të Afganistanit.

Nga organizata “Mjekët pa Kufij” (MSF) në qendrën e Kunduzit, thuhet se si pasojë e shpërthimit kanë humbur jetën ose janë plagosur mbi 100 persona.

Gjithashtu edhe Misioni i Asistencës së OKB-së në Afganistan (UNAMA), bëri të ditur se sipas vlerësimeve të para numri i të vdekurve dhe të plagosurve ka shkuar në mbi 100. Nuk janë dhënë detaje në lidhje me numrin e të vdekurve dhe të plagosurve.

Sulmi, i cili kishte në shënjestër një xhami shiite, ishte akti më vdekjeprurës i terrorizmit në vend pas largimit të forcave të huaja nga Afganistani.

Pasi SHBA-ja tërhoqi forcat e saj të fundit dhe u largua nga vendi më 31 gusht, shpërthimet në Afganistan u përqendruan në Jalalabad, qendra e provincës Nangarhar, në lindje të kryeqytetit Kabul. Derisa shumica e atyre sulmeve kishin në shënjestër forcat talebane, sulmi i sotëm ishte më i dhunshmi, që synoi drejtpërdrejt civilët.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid tha se në zonë kanë mbërritur forcat talebane dhe se kanë filluar një hetim lidhur me sulmin.

Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë askush ndërkohë që dëshmitarët janë shprehur se ka qenë sulm vetëvrasës.

Shumicën e sulmeve kundër shiitëve në të kaluarën i ka marrë përsipër organizata terroriste DEASH.