Afrikë, në Gabon regjistrohet i prekuri i parë me Covid-19

Testi i një shtetasi 27-vjeçar të Gabonit që ka ardhur nga qyteti Bordeaux i Francës më 8 mars ka rezultuar pozitiv me COVID-19, tha zëdhënësi i qeverisë së vendit

Shteti afrikan i Gabonit ka konfirmuar rastin e parë me koronavirusin e ri COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i qeverisë, njëherësh ministër i Komunikimit, Edgard Anicet Mboumbou Miyakou, tha në një deklaratë se testi i një shtetasi 27-vjeçar të Gabonit që ka ardhur nga qyteti Bordeaux i Francës më 8 mars ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Miyakou tha se pacienti është vendosur në karantinë dhe po trajtohet.

Ndërkohë, siç raportohet, 30 persona të tjerë janë duke u mbajtur nën mbikëqyrje me dyshimin për COVID-19.

Krahas Gabonit, raste të koronavirusit në kontinentin e Afrikës deri më tani janë vërejtur edhe në Bregun e Fildishtë, Ganë, Republikën Demokratike të Kongos, Burkina Faso, Egjipt, Algjeri, Nigeri, Senegal, Kamerun, Tunizi, Afrikën e Jugut dhe Marok.

Në mbarë kontinentin janë konfirmuar 135 raste të virusit, prej të cilëve tre kanë përfunduar me vdekje.