Agjencia Turke TIKA projekt në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuara

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në kuadër të punës së saj shumë vjeçare në Shqipëri, vazhton projektet në fushën e arsimit, ku këtë herë përfituesit kanë qenë nxënësit me aftësi të kufizuar në Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë.
Përmes një projekti për këtë institut, TİKA ka inauguruar një klasë profesionale për parukeri dhe berber në Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë dhe që do të jetë në dispozicion të nxënësve të këtij instituti.
Të pranishëm në aktivitetin e përurimit ishin ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Emine Gizem Başkan, drejtues të institutit, mësues dhe nxënës të këtij institucioni arsimor të rrallë në Shqipëri.


Ministrja Kushi, duke përshëndetur të pranishmit, tha se kanë një solidaritet të jashtëzakonshëm për nxënësit e kësaj shkolle.
“Ju falënderojmë nga zemra për mundësinë që po u jepni këtyre fëmijëve që të marrin një profesion dhe në të ardhmen të jenë të pavarur dhe të jetojnë si të gjithë bashkëmoshatarët. Mbështetja që jepet në fushën e arsimit është më e rëndësishmja nga të gjitha”, u shpreh Kushi, duke iu drejtuar përfaqësuesve të institucioneve turke.
Ndërsa ambasadori Yörük në fjalën e tij tha se Turqia ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pranë vëllezërve shqiptarë dhe shtoi duke thënë se “këtë e bëjnë gjithmonë nga dëshira e madhe që u vjen nga zemra”.


“Kemi sjellë dhe përshëndetjet nga vëllezërit dhe motrat nga Turqia. Urojmë që në këtë klasë të mësojnë (nxënësit) sa më mirë dhe në të ardhmen të kenë një profesion të tyre si parukier dhe berber. Ne këtë le ta quajmë si një dhuratë nga ana jonë, si një byzylyk floriri në dorën e tyre, për të sjellë të ardhura familjes në të ardhmen”, tha ambasadori turk.
Agjencia TIKA krahas restaurimit total të ambientit ka siguruar pajisje dhe orendi të tjera për ngritjen klasës së trajnimit profesional për parukeri dhe berber për nxënësit e këtij instituti.
Kujtojme që TIKA operon prej vitit 1996 në Shqipëri dhe gjatë kësaj kohe ka realizuar me shumë se 600 projekte ku një pjesë e mirë e tyre janë në fushën e arsimit.