Akar: “Terroristët e PKK-së në panik, nuk kanë ku të fshihen”

Terroristët tani janë të vetëdijshëm se janë në skutë pas operacioneve antiterroriste ndërkufitare të Turqisë në Irakun verior, deklaroi shefi i mbrojtjes turke

Terroristët e PKK-së janë në qoshe, kurse të ashtuquajturit administratorë të organizatës terroriste janë në panik pas ofensivës së fundit antiterroriste të Turqisë në Irakun e veriut, deklaroi ministrit turk i Mbrojtjes, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në mesin e informacioneve të inteligjencës që morëm, është se me operacionin (Kthetra-Shqiponja 2), ekziston një panik serioz dhe shqetësim i thellë midis të ashtuquajturve administratorë të grupit terrorist PKK, ndërsa aftësitë e lëvizjes së grupit kryesisht janë kufizuar”, theksoi Hulusi Akar gjatë një ceremonie të marinës në provincën perëndimore të Izmirit.

Akar tha se pas operacionit katërditor në rajonin Gara, terroristët nuk kanë ku të fshihen, kurse të ashtuquajturit administratorë e dinë mirë këtë.

Forcat turke filluan operacionin më 10 shkurt për të parandaluar PKK-në dhe grupet e tjera terroriste nga ringritja e pozicioneve të përdorura për të kryer sulme terroriste ndërkufitare ndaj Turqisë.

Operacionet “Kthetra-Tigër” dhe “Kthetra-Shqiponja” u ndërmorën qershorin e kaluar për të ofruar sigurinë e banorëve dhe kufijve të Turqisë.