Akar: Vazhdojnë kontaktet me Rusinë për stabilitetin dhe paqen në rajon

"Kemi kontakte në çdo nivel me Rusinë, si për arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe arritjen e armëpushimit (në Siri), ashtu edhe për ruajtjen e të drejtave dhe interesave tona dhe garantimin e sigurisë", tha Akar

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, i cilësoi si të vlefshme aktivitetet mes vendit të tij dhe Rusisë, përfshirë edhe takimin me homologun rus Sergey Shoygu, duke shprehur besimin se ato do të kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin e rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).

Akar priti me ceremoni zyrtare ministrin rus Shoygu, i cili arriti në Ankara për të biseduar në lidhje me Sirinë para samitit trepalësh që do të mbahet në Rusi, ndërsa më pas kryesuan takimin midis delegacioneve.

“Besoj se këto punime janë shumë të vlefshme. Vlerësoj se ato do të japin kontribute të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin e rajonit”, tha Akar para takimit.

“Kemi kontakte në çdo nivel me Rusinë, si për arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe arritjen e armëpushimit (në Siri), njashtu edhe për ruajtjen e të drejtave dhe interesave tona dhe garantimin e sigurisë”, tha ai.

Nga ana tjetër, Shoygu tha se shpreson se palët do të jenë dakord në temat e diskutuara në takimin e sotëm.

“Presidentët tanë do të takohen në Soçi dhe besoj se këtu do t’i finalizojmë punimet paraprake të temave që do të diskutohen”, shtoi Shoygu.

“Turqia dhe Rusia koordinohen para samitit në Soçi”

Turqia dhe Rusia kanë bërë koordinimet e nevojshme para samitit trepaësh në lidhje me Sirinë që do të mbahet të enjten me pjesëmarrje të liderëve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit, njoftoi Ministria turke e Mbrojtjes pas takimit të ministrave të mbrojtjes të dy vendeve në Ankara.

Në një njoftim të ministrisë turke thuhet se në takim është vënë theksi mbi vazhdimësinë e bashkëpunimit midis forcave të armatosura dhe inteligjencave në Idlib për arritjen e stabilitetit përkundër të gjitha provokimeve.

Në takimin Akar-Shoygu u diskutua situata e fundit në Siri në kuadër të marrëveshjeve të Astanas dhe Soçit, thuhet në njoftim.

“U shqyrtuan punimet e realizuar mes delegacioneve në Federatën Ruse më 31 janar – 2 shkurt dhe u bënë koordinimet e nevojshme para Samitit të Liderëve që do të mbahet më 14 shkurt 2019 në Soçi”, tha ministria.

Ministrat e mbrojtjes të dy vendeve po ashtu kanë shkëmbyer mendime rreth arritjes së sigurisë brenda zonës së çarmatosur në Idlib, duke riafirmuar bashkëpunimin kundër çdo lloji të terrorizmit.

Në shtator të vitit të kaluar, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin u takuan në Soçi të Rusisë, ku ranë dakord për tërheqjen e armëve të rënda nga rajoni verior sirian i Idlibit.

Megjithatë, regjimi i Bashar al-Asadit ka vazhduar shkeljen e marrëveshjes duke bombarduar rajonin me dronë dhe artileri.

Takimi i sotëm mes dy shefave të mbrojtjes erdhi para samitit të radhës trepalësh të planifikuar mbi Sirinë midis liderëve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit në qytetin rus Soçi të enjten.