AKEP publikon tarifat dhe paketat e kompanive celulare në Shqipëri

Nga monitorimi i revistës Monitor rezultoi se çmimet u rritën në fillim të shkurtit  me 200 lekë sipas datave më 30 janar për Albtelekom, 5 shkurt për Telekom dhe 11 shkurt për Vodafone.

Pas zhurmës mediatike që solli rritja e më pas ulja e paketave mujore të telefonisë celulare, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka publikuar në faqen hyrëse të internetit informacionin mbi tarifat e sipërmarrësve të rrjetet celulare për të mundësuar krahasimin mes tyre në shërbim të pajtimtarëve/ konsumatorëve.

Nga monitorimi i revistës Monitor rezultoi se çmimet u rritën në fillim të shkurtit  me 200 lekë sipas datave më 30 janar për Albtelekom, 5 shkurt për Telekom dhe 11 shkurt për Vodafone.

Rritja e çmimit të paketave mujore nga të tre operatorët celularë me 200 lekë dhe rritja e kostos së rimbushjes nga 100 në 200 lekë solli reagimin e konsumatorëve dhe medias dhe më pas ndërhyrjen e Autoritetit të Konkurrencës e cila mori vendimin për rikthimin e tarifave fillestare. Kompania Vodafone Albania dhe Telekom Albania konfirmuan për Monitor se kanë reaguar menjëherë duke rikthyer çmimet e paketave dhe të njëjtin veprim ka kryer edhe Albtelekom duke rikthyer çmimet për paketat tridhjetë ditore standarde me parapagesë.

Në një dokument analitik jepen të gjitha tarifat/planet kryesore të shërbimit te telefonisë celulare por sigurisht më shumë rëndësi kanë ofertat mujore të cilat i përdorin më shumë se 95 për qind e abonentëve. AKEP, duke marrë parasysh se tregu është aktiv dhe në këtë dokument informacioni është i përmbledhur, konsumatorëve ju këshillohet të konsultojnë edhe të dhënat në faqet e internetit të sipërmarrësve, në pikat e shitjes ose kujdesit të klientit të operatorëve celularë, në mënyrë që asistohen sa më mirë në zgjedhjet e tyre.

Sipas dokumentit të publikuar çmimet për operatorin Albtelekom fillojnë me 150 lekë për paketën ditore, 500 lekë për abonim një javor, dhe 900 lekë për paketën standarde mujore. Paketa mujore është më e përdorura dhe për këtë çmim Albtelekom ofron 200 minuta kombëtare, 400 minuta drejt rrjetit fiks dhe 400 SMS dhe 300 MB internet

Edhe Telekom Albania dhe Vodafone ofrojnë paketa të ngjashme me çmim 1000 lekë për ofertat 30 ditore me përmbajtje pak a shumë të njëjtë të shërbimeve të ofruara. Telekom Albania ofron paketën 30 ditore me 200 minuta kombëtare, 100 minuta drejt fiksit kombëtar, 400 SMS dhe 200 MB. Ndërkohë operatori më i madh në treg Vodafone po për 1000 lekë abonim mujor ofron 200 minuta kombëtare, 200 SMS dhe 200 MB internet.