8.5 C
Tiranë
E enjte, 9 Dhjetor, 2021

Aksidenti tragjik, nisin hetimet për shkeljet e mundshme të kompanisë transportuese

Raportohet se shumica e viktimave ishin nga Shkupi dhe ishin duke u kthyer nga Stambolli, ku kishin qëndruar në një vizitë treditore.

Kontrolli i fundit i gjendjes teknike të autobusit është bërë më 5 tetor të këtij viti dhe procedura hetimore do të japë përgjigje për të gjitha dilemat, tha ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në konferencën e sotme për media pas aksidentit tragjik ku humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut.

“Presim një përgjigje të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse nga shërbimet kompetente dhe jam i sigurt se me bashkëpunim të përbashkët do t’i japim përgjigjet e nevojshme për këtë tragjedi dhe në këtë mënyrë do të sigurojmë efikasitet në përcaktimin e përgjegjësisë”, tha Spasovski.

Ministri i Transportit, Blagoj Boçvarski ka bërë të ditur se kompania transportuese nuk e ka deklaruar veturën që iu dogj mbrëmë.

“Për momentin transportuesi ka licencë të rregullt për transport ndërkombëtar pasagjerësh. Në kuadër të kompetencave të saj, ministria lëshon një licencë si dhe një ekstrakt nga licenca për transport ndërkombëtar pasagjerësh për çdo mjet individualisht. Konstatojmë se automjeti nuk është raportuar nga transportuesi dhe për rrjedhojë automjeti nuk është në bazën elektronike të të dhënave të Ministrisë së Transportit”, tha ai.

“Sipas këtij neni të ligjit, transportuesi është i obliguar të njoftojë ministrinë për çdo ndryshim apo regjistrim të mjetit apo shoferit jo më vonë se 15 ditë”, tha Boçvarski.

Ministria e Transportit ka nisur procedurën për heqjen e licencës të kompanisë transportuese “Besa Trans”. Boçvarski shton se qeveria sot ka porositur Inspektoratin e Transportit që të hetojë kompaninë.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se janë vendosur kontakte të drejtpërdrejta me autoritetet bullgare dhe është aktivizuar grupi punues në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t’u marrë me pasojat e kësaj tragjedie.

“Gjatë ditës kemi mundësuar modifikimin e protokolleve të COVID-it, në mënyrë që anëtarët e familjeve që kishin nevojë të udhëtonin në Sofje, të kishin mundësi të shkonin pa protokollet e COVID. Për informacion të detajuar janë kontaktuar të gjitha familjet e viktimave si dhe familjarët e të plagosurve. Institucionet e drejtësisë tashmë janë në kontakt për identifikimin e trupave”, tha Osmani.

“Çfarëdo që të bëjmë sot, nuk mund ta kompensojmë humbjen apo ta mbulojmë pikëllimin. Familje të tëra sot nuk janë më me ne. Ne si MPJ do t’u sigurojmë dinjitet familjeve që fillimisht të marrin informacione reale dhe të sakta dhe kufomat t’i bartin në Shkup”, shtoi ai.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur të martën tri ditë zie kombëtare pas aksidentit, që la të vdekur të paktën 46 persona.

Zyrtarët në Maqedoni të Veriut thanë se aksidenti ndodhi në një autostradë në perëndim të Bullgarisë, ku një autobus me 53 pasagjerë, shumica nga Maqedonia e Veriut, fillimisht u aksidentua e më pas u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.

Në mesin e viktimave janë të paktën 12 fëmijë. Në një spital në Sofje të Bullgarisë janë duke u trajtuar shtatë persona që i shpëtuan aksidentit.

Raportohet se shumica e viktimave ishin nga Shkupi dhe ishin duke u kthyer nga Stambolli, ku kishin qëndruar në një vizitë treditore.

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme