AKU bllokon 1 ton mish në një aktivitet të paligjshëm në Pogradec

Nja sasi rreth 1 ton mish është bllokuar nga AKU në një aktivitet të paligjshëm në qytetin e Pogradecit.

Mësohet se shkak janë bërë kushtet e rënda hijeno-sanitare, ku kryhej aktiviteti ilegal. Gjithashtu subjekti nuk kishte asnjë dokumentacion për kontrollet veterinare dhe sigurinë e produktit, thotë AKU.

Ky operacion i AKU-së është në vazhdën e punës për disiplinimin e therjeve dhe të tregtimit të produkteve shtazore në funksion të sigurisë ushqimore dhe në kuadër të masave të përforcuara gjatë sezonit turistik.

Konkretisht, shtetasi Iljaz Mancellari u kap në flagrancë duke kryer therje të jashtëligjshme, gjatë orëve të para të mëngjesit në një ambient të paregjistruar dhe në mungesë të kushteve higjieno-sanitare.

Produkteve të bllokuara, 9 karkasa vici me peshë 655 kg, një karkasë lope me peshë 205 kg si dhe 35 kg të brendshme i mungonin dokumentacioni shoqërues, vula veterinare, kuponi tatimor etj, shkruan Top Channel.

Për shkeljet e mësipërme përveç masës administrative së bllokimit të produktit dhe konfiskimit të mjeteve të punës ( si 42 çengela, një thikë dhe një sopatë), u morën edhe masat administrative me gjobë në vlerën 500.000 lekë si dhe ndalim i menjëhershëm i aktivitetit.