Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë, Çağrı Sakar, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi i parë zyrtar midis kryeministrit Kurti dhe ambasadorit Sakar, i cili u mbajtë me dyer të mbyllura për mediat në hapësirat e Qeverisë së Kosovës, ka zgjatur më shumë se gjysmë ore.
Të pranishëm në takim ishin edhe zëvendëset e ambasadorit, Eda Çetin dhe Aslıhan Dilara Köseoğlu, si dhe konsulli i përgjithshëm i Turqisë në Prizren, Serdar Ӧzaydın.
Sipas një fotografie të takimit të publikuar në rrjetet sociale nga ambasada turke në Prishtinë, ambasadori Sakar ka uruar Kurtin për marrjen e detyrës si kryeministër.
Ndërkaq, nga Qeveria e Kosovës njoftuan se në takim ndër të tjera u diskutua rëndësia e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve, si dhe bashkimi i ministrive dhe miratimi i buxhetit për fuqizimin e qeverisë së re.
Gjatë takimit, u theksua mbështetja e Turqisë për qeverinë e kryeministrit Kurti, në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik në dobi të të gjithëve.
“Ndër të tjera, ambasadori Sakar ia dorëzoi kryeministrit Kurti urimin e kryetarit të Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, z. Prof. Dr. Mustafa Şentop”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.



