Albini, i rrezikshëm për establishmentin e vjetër

Nga Redi Shehu

Pritej momenti që Albin Kurti, në formatin e Kryeministrit të Kosovës, të përballej me fakorin ndërkombëtar. Ky moment erdhi në Konferencën e Mynihut. Përballja e Albinit me ndërkombëtarët nuk mendohej të ishte një përballje tradicionale diplomatike. Jo, ajo ishte dhe duhej të ishte një përballje e Albinit me vetë Albinin, e Kryeministrit Kurti me Albinin e dikurshëm aktivist dhe rebel në mbrojtje të kombit dhe përballje me serbët. Konferenca e Mynihut, ishte rasti i parë në të cilën do të shihej sjellja publike e Kryeminstrit më të ri të Kosovës. Pavarësisht se nuk ndaj të njëjtin mendim politik mbi të majtën dhe progresiszmin e shpallur të Albin Kurtit, e kemi për detyrë të themi të vërtetën edhe kur ajo mund të mos jetë në përputhje me preferences tonë.

Albini, la të habitur jo pak njerëz të salloneve politike dhe kulturore të Tiranës. Të mësuar me gjuhën e drunjtë dhe shpesh rrokje-rrokje të politikanëve tanë, audienca e shurdhuar shqiptare nga intonacioni i stonuar i politikanëve të Tiranës, me tezat e Albin Kurtit në Konferencën e Mynihut, kuptoi se edhe shqiptarët, nuk qënkan të dënuar brënda një mediokritetit të përherhëm. Jo vetëm në Mynih, por edhe më parë, Albini, (siç edhe shumë kanë qejf ta quajnë kështu) rrëzoi teorinë se në kohët e sotme mediokritetit është i pashmangshëm.

Gjatë gjithë historisë së tij politike, ai në një farë mënyre, i ka dhënë një mësim të gjithë krahëve politikë, se nëse dëshiron të jesh lider, së pari duhet të kesh një ideal, dhe së dyti, duhet të besosh fort në këtë ideal. Ai dhe “Vetvendosja”, u mpleksën në një kuptim të pandashëm, sa u bënë komplementarë të njëri-tjetrit. Një forcë e majtë e cila rrok nacionalizmin, kombin, besnikërinë ndaj traditës dhe të shkuarës tonë, ndaj gjuhës dhe kompleksitetit të identitetit të shqiptarëve, e bëri këtë lëvizje të jetë unike në llojin e saj, duke ngërthyer aktivizmin e majtë me idealizimin e djathtë. Në fakt, “Vetvendosja” për shkak të daljes nga shinat e politikës së Prishtinës, u kthye në ndëgjegjen e pashprehur të çdo shqiptari të Kosovës i cili gjente tek ajo, fytyrën e vet publike.

Qëndrueshmëria ndaj idealeve të veta, pa bërë kompromise gjatë 15 viteve të jetës së “Vetvendosjes”, në mënyrë të ngadaltë, krijoi tek elektorati shqiptar i Kosovës, bindjen se kjo lëvizje, ndryshe nga të gjitha formacionet e tjera politike kosovare, nuk paska parësore manipulimin me pushtetin, por idealin kombëtar si dhe projektin përfundimtar të bashkimit të dy gjysëm kombeve shqiptare. Për këtë, atyre iu desh të përplaseshin fort me të gjithë establishmentin politik të Kosovës, me të gjithë establishmentin ndërkombëtar të institucioneve të Kosovës, dhe me të gjithë opinionin e kancelerive evropiane, të cilat bënin çmos për të shmangur dhe lënë jashtë lojës politike, një forcë e cila synonte korrigjimin e padrejtësisë shekullore ndaj shqiptarëve.

Thënë ndryshe, e gjithë eksperinca politike e Albinit dhe lëvizjes që ai drejton këto vite, ishte një shkollë politike ndryshe nga formatet dhe modelet me të cilat u mësuam rëndom të shihnim kudo në rajon. Servilizmi, pragmatizmi, shitja e ideologjisë politike, kapërcimi i pozicioneve politike, fluiditeti i qënndrimeve, harresa e premtimeve, e shumë e shumë sëmundje politike të cilat janë normale në të bërit politikë sot, kësaj periudhe të “karantinës” politike të lëvizjes “Vetvendosje” nuk u panë, ose u konstatuan në minimalet e veta.

Skepticizmi i shumë qarqeve ushqehej nga frika nëse “Vetvendosja” në pushetet do të ishte e njëjta, dhe se Albini në pushtet a do të ishte i njëjti? Është i vërtetë fakti se pushtetet gjithmonë sjellin modifikime të qëndrimeve që forca të ndryshme politike bëjnë kur janë në opozitë. Kjo edhe për shkakun se faktorët me të cilët duhen negociuar tiparet e pushtetit, janë faktorë të fuqishëm ndëkombëtarë, vendimtarë për vende të vogla si Kosova. Por në Konferencën e Mynihut, tezat e arikuluara nga Albini përsa i përket marrëdhënieve Kosovë- Serbi, ishin të qarta dhe të pandryshuara.

Është pikërisht këtu që “Vetvendosja” dhe Kryeministri i ri i Kosovës, fillojnë dhe kthehen në një model dhe referencë politike për të gjithë hapsirën shqiptare. Është pikërisht këtu që Albini kthehet në “i rrezikshëm” për establishmentin e vjetër politik të të gjithë shqiptarëve, sepse ndryshon referencën dhe nxjerr zbuluar gjithë prapësitë e bëra në kurriz të kauzës kombëtare dhe politikave qeverisëse. Pra, Kryeministri Kurti ka barrën jo vetëm të një qeverisjeje në përputhje me natyrën e tij dhe të lëvizjes së tij, por edhe të ndërtimit të një modeli pozitiv politik në rajon. Kjo konkurencë e modeleve vetëm se mirë i bën ambientit tonë politik, rrit nivelin e shqetësimit si dhe zhvillon sensin e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë.