Alibeaj: Pseudoprotesta e së shtunës do të dështojë, lufta e vërtetë ndaj Ramës, çdo përpjekje tjetër është për të marrë peng PD për interesin e një njeriu

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e ka quajtur protestën e thërritur nga ish-kryeministri Sali Berisha, si një klithmë të zbehtë agonie, në të cilën duan të tërheqin edhe demokratët.

Alibeaj shkruan në “Twitter”, se ish-kryeministri prej 4 muajsh po bën çdo gjë që të zhvendosë objektivin e PD nga përballja me regjimin në një luftë të brendshme, që ka për qëllim sipas tij dobësimin e PD dhe të demokratëve.

Ai shton më tej se protesta e lajmëruar për në 8 janar do të dështojë.

Alibeaj thekson se demokratët duhet të fokusohen në të vetmen betejë të vërtetë, atë me regjimin e Edi Ramës dhe për t’i dhënë kështu vendit një qeverisje të mirë dhe të drejtë.

Postimi i Enkelejd Alibeajt:

“Nuk ka asnjë protestë të vërtetë të shtunën. Janë klithma të zbehta të një agonie politike, në të cilën duan të tërheqin edhe demokratët. Sali Berisha nuk ka moralitet në këtë ndërmarrje antidemokratike. Prej gati 4 muajsh është bërë çdo gjë që të zhvendoset objektivi i PD nga përballja me regjimin e Edi Ramës në një luftë të brendshme kundër Lulzim Bashës, për dobësimin e PD dhe të demokratëve.

Pseudoprotesta do të dështojë, si çdo përpjeje tjetër e deritanishme për të marrë peng PD-në për interesin e një njeriu të vetëm! Është koha që Berisha të shkojë në shtëpi! Të lërë demokratët të fokusohen në të vetmen betejë të vërtetë, atë me regjimin e korruptuar të Edi Ramës për t’i dhënë vendit sa më parë një qeverisje të mirë dhe të drejtë!”