Ambasadorja Yuri Kim thotë se për listat e kandidatëve do t’u kërkohet llogari udhëheqësve të partive

Ambasadorja amerikane shtoi qartësisht se kryetarët e partive do të jenë përgjegjës dhe se për këtë "do t'u kërkohet llogari".

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim ngarkoi të dielën me përgjegjësi direkte udhëheqësit e partive politike për listat e kandidatëve që do të paraqesin ditën e hënë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Përmes një mesazhi të postuar në Twitter, ambasadorja Kim sqaroi se SHBA-të kanë kërkuar hapur që partitë të jenë të kujdesshme në kandidimin e deputetëve, që ata të jenë njerëz “të pastër” me integritet dhe të denjë për përfaqësimin e qytetarëve. Ajo tha se nesër do të shihet nëse “mesazhi i SHBA-së është kuptuar apo jo”.

“Listat e depozituara nga partitë do na tregojnë nëse udhëheqësit shqiptarë e kanë kuptuar mesazhin nga SHBA-të, nëse janë të përkushtuar për t’u integruar në BE dhe nëse janë të gatshëm të marrin përsipër vendimet e nevojshme për një të ardhme më të begatë e më demokratike për Shqipërinë. Presim nga udhëheqësit e partive të tregojnë lidership të vërtetë,” – shton Kim.

Ambasadorja amerikane shtoi qartësisht se kryetarët e partive do të jenë përgjegjës dhe se për këtë “do t’u kërkohet llogari”. Ndër të tjera ajo nënvizoi se SHBA-të do të mbështesin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë procesit të shqyrtimit dhe miratimit të listave.