Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore i Turqisë, Fatih Dönmez, ka bërë të ditur se anija e parë turke e shpimit “Fatih” ka filluar shpimet në pusin Türkali-1 në fushën e gazit Sakarya në Detin e Zi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në llogarinë e tij në twitter, Dönmez njoftoi se pas punës përgatitore anija Fatih rifilloi shpimet në Detin e Zi që do të zgjasin 75 ditë.
Shpimi në pusin Türkali-1 vjen pas njoftimit të 21 gushtit nga presidentit turk, Recep Tayip Erdoğan, për “zbulimin më të madh të gazit” në historinë e Turqisë prej 320 miliardë metra kub në fushën e gazit Tuna-1, e cila po ashtu është e vendosur në fushën e gazit Sakarya.
Zyrtarët turq kanë deklaruar se gazi nga pusi Tuna-1 do të jetë gati për përdorim në vitin 2023. Ata po ashtu shprehën optimizmin e tyre se më shumë rezerva do të gjenden së shpejti.
Më 17 tetor, Turqia zbuloi një shtesë prej 85 miliardë metra kub rezerva të gazit natyror në Detin e Zi, ndërsa më 21 tetor, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, konfirmoi se në muajin nëntor anija është planifikuar të fillojë operacionet e shpimit në pusin Türkali-1.



