Anila Denaj: Rindërtimi pas tërmetit, mundësi për krijimin e zonave ekonomike

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se do të pritet deri në konferencën e donatorëve që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel për të patur një bilanc më të saktë të fondeve në kuadër të rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se do të pritet deri në konferencën e donatorëve që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel për të patur një bilanc më të saktë të fondeve në kuadër të rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti.

Gjatë një interviste televizive, Denaj deklaroi se buxheti do të financojë edhe një shumë tjetër për dëmet e tërmetit edhe në vitin e ardhshëm.

“Nuk mund të them se sa është fatura e plotë e dëmit, por besojmë se është më shumë se shuma që ne kemi alokuar, prandaj mendojmë që ky proces do zgjasë edhe në vitin që vjen. Buxheti do ta ndiejë këtë efekt edhe vitin që vjen”, tha Denaj, raporton ATA.

Gjithashtu, ministrja ka bërë të ditur se qeveria do të krijojë një plan të detajuar për stimulimin e biznesit në zonat ku do të rindërtohet.

“Disa zona mund të ridimensionohen, mund të shikohen si një mundësi më e madhe ekonomike për t’u zhvilluar më mirë, zona e Spitallës, apo zona të tjera më afër Tiranës, për të krijuar zona ekonomike që e gjithë vlefta e ndërtimit të banesave rrotull këtyre zonave të krijojë mundësi punësimi gjithashtu”, tha Denaj.

Duke u ndalur te shërbimet online, ministrja sqaroi se “ka një pjesë dokumentacioni, e cila nuk plotësohet vetëm nga një administratë dhe nevoja për ta plotësuar përsëri humbet kohë edhe nëse secila nga këto administrata të jetë e integruar në procese online. Këtë vit po ndodh jo vetëm zgjerimi i bazave në konceptin online, por edhe integrimi i tyre në mënyrë të tillë që ato dokumentacione, të cilat do të duhet të merren nëpërmjet administratës, të merren nga administrata dhe jo nga qytetarët”.