Arrestohet ish-këshilltari i Trump-it Steve Bannon me akuza për “mashtrim”

Zyra e Prokurorit të Qarkut të New York-ut tha se Bannon, si dhe Brian Kolfage, Andrew Badolato dhe Timothy Shea akuzohen për angazhim mashtrues në fushatën "We Build The Wall", e cila mblodhi gjithsej 25 milionë dollarë donacione

Steve Bannon, ish-këshilltari i presidentit amerikan Donald Trump, dhe tre të tjerë janë arrestuar nën akuzën e mashtrimit në lidhje me fondet e parashikuara për fushatën “We Build The Wall” (Ne ndërtojmë murin) të nisur për të ndërtuar një mur në kufirin meksikan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, Zyra e Prokurorit të Qarkut të New York-ut tha se Bannon, si dhe Brian Kolfage, Andrew Badolato dhe Timothy Shea akuzohen për angazhim mashtrues në fushatën “We Build The Wall”, e cila mblodhi gjithsej 25 milionë dollarë donacione.

Në deklaratë thuhet se Bannon dhe tre personat e tjerë në fjalë janë ndaluar dhe se katër të pandehurit do të nxirren në gjykatë pasdite.

Fushata “We Build The Wall” u nis për të financuar pjesë të veçanta të murit që Trump e ndërtoi në kufirin me Meksikën për të parandaluar kalimin e paligjshëm të migrantëve.

Bannon, i cili shihej si strategu kryesor i presidentit amerikan Trump që shkaktoi polemikë me “retorikë raciste” dhe një nga emrat më të rëndësishëm në fitoren e Trump-it në zgjedhjet presidenciale, u largua nga detyra e tij më 19 gusht 2017.