Asange dhe Wikileaks

Por, a e bëri më të hapur botën Wikileaks dhe a thua vërtet do ta kemi të zbatueshëm atë termin shumë të preferuar “shoqëri e hapur” (open society)?

Në fillim të muajit Prill të këtij vitit, autoritet britanike arrestuan Julian Asange, i njohur si “babai” i WikiLeaks, pasi Ambasada e Ekuadorit në Londër, e cila kishte vite që e mbronte diplomatikisht, hoqi dori nga ky veprim. Në kohën kur të gjithë janë fokusuar në atë se çfarë ndodhi me arrestimn e Asange dhe në atë se çfarë do të ndodhë me të personalisht, është e udhës të kuptojmë se çfarë ishte në të vërtetë WikiLeaks.  Po ashtu, do ishte e udhës të përqendrohemi në anën tjetër të fenomenit, në burimin e kësaj rrjedhjeje apo kullesë mediatike e cila trazoi jo pak ujërat e ndenjura të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.  Një website, një organizatë (OJF) dhe një individ që afishohen nën logon “Ndihmo WikiLeaks të mbajë qeveritë të hapura” dhe nën moton “Publikime që përmirësojnë transparencën dhe transparencë që krijon një shoqëri më të mirë për të gjithë”. Një ideal thjesht i përkryer për t’u besuar.

Por, a e bëri më të hapur botën Wikileaks dhe a thua vërtet do ta kemi të zbatueshëm atë termin shumë të preferuar “shoqëri e hapur” (open society)? Një ndër efektet e që shkakton dalja e një informacioni të paautorizuar, qoftë në marrëdhëniet ndërnjerëzore apo edhe ato ndërqeveritare, shkakton menjëherë efektin e kundërt atë të mbylljes se menjëhershme me një dozë shtrëngimi akoma më të madh. Njerëzit janë të prirur më së shumti të sigurohen mbi masat e ruajtjes së sekreteve se sa të vendosin t’i nxjerrin ato. Kështu që, edhe pasojat e WikiLeaks në fakt bënë që sistemet e komunikimit të ruhen më mirë të jenë më të sofistikuara dhe pak ose aspak do të ketë përfitim shoqëria në rrugën e vet drejt hapjes. Pastaj një pyetje tjetër shtrohet, në atë se ku qëndrojnë kufijtë e hapjes së shoqërive ? Individët, organizatat por edhe qeveritë nën presionin e të qënurit të zbulueshëm do të mbyllen më tepër dhe do të thonë gjithmonë e më tepër atë që nuk mendojnë dhe do mendojnë atë që nuk thonë.

Për një WikiLeaks të hapur

Pak ose aspak është bërë e ditur rreth prapaskenave të WikiLeaks. Nje organizatë jo fitimprurëse (OJF) e cila pretendon të ndërtojë qeveri të hapura dhe një shoqëri të hapur, është tipikisht e mbyllur në eufemistikën e luftës për transparencë. Datuar që në fillimet e veta në vitin 2007-të, Wikileaks, pati kërkuar së pari ndihmë për bashkëpunim prej “Freedom House” një organizatë amerikanë në Washington e kryesuar prej këshilltarit të zëvendës Sekretarit të Mbrojtjes në kohën e administratës Bush, William H.Taft. Kërkesa e saj (Wikileaks) për fonde qe shtrirë edhe më tej në shumë fondacione korporatash.

Burimet financiare të WikiLeaks sipas Assange janë: “Ne kemi qenë të rregjistruar si bibliotekë në Australi, si fondacion në Francë, si gazetë në Suedi. Kemi dy organizata bamirësie në Sh.B.A” . Në Gjermani beniamini financiar i WikiLeaks ishte “Wau Holland Foundation”. Ndërsa kur Assange pyetet për emrat konkretë që qëndrojnë pas tyre ai shprehet:”WikiLeaks merr gjysmën e të hollave nga “kontakte personale” përfshirë  “njerëz milionerë që na mbështesin” por nuk mund të përmend emra sepse mund të humb grantet financiare për arsye të ndjeshmërisë politike të problemit” (WikiLeaks Keeps Funding Secret, WSJ.com, August 23, 2010). Po i njëjti Assange na bën të ditur për fokusin e WikiLeaks: “Shënjestra jonë kryesore janë regjimet tepër shtypëse në Kinë, Rusi dhe Azinë Qëndrore, por do të jemi në ndihmë edhe të atyre palëve në Perëndim të cilët dëshirojnë të shpalosin sjelljet imorale të qeverive të tyre… Ekspozimi i këtyre sekreteve  potencialisht mund të shkaktojë edhe rënien e shumë administrative përfshirë edhe administratën e SH.B.A-ve” (WikiLeaks and Julian Paul Assange : “The New Yorker June 7, 2010”)

Ajo që e bën kureshtare situatën është pozologjia e servirjes se dokumentave. Kush përcakton çfarë ? Ku gatuhet supa informative dhe seleksionimi? “New York Times”, “The Econimist”, “The Guardian” kanë qene të përfshira në publikimin e lajmeve dhe njëkohësisht në redaktimin e informacionit të dhënë. Këtë na e thotë vetë Assange: “WikiLeaks nuk është i vemti publikues i kabllogrameve të ambasadave të Sh.B.A-ve. Media të tjera përfshirë britaniken “The Guardian”, “New York Times”, ”El Pais” në Spanjë si dhe “Der Spiegel” në Gjermani kanë publikuar të njëjtat kabllograme të redaktuara ….”.  (The Redacting and Selection of Wikileaks documents by the Corporate Media (Shih Intervistën me David E. Sanger, Fresh Air, PBS, December 8, 2010).  Është një fakt i ditur që “New York Times” ka qenë një shërbëtore e mirë mediatike e familjes Rockfeler. Bosi i kësaj gazete Arthur Sulzberger Junior është nipi i Arthur Hays Sulzberger i cili ka qenë shefi i Fondacionit Rockfeler. Gjithashtu Ethan Bronner zv/editori për çështjet e jashtme të “New York Times”, dhe Thomas Friedman janë pjesë e Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Rockfelerët kanë maxhorancën e aksioneve të disa korporatave mediatike në Sh.B.A.

Roli redaktues i “New York Times” në materialet e Wikileaks sipas një marrëveshjeje midis Assange dhe disa mediave kryesore, jepet në një intervistë që David E. Sanger shefi për Washingtonin i kësaj gazete, ku ai thotë: “Ne iu futëm kabllogrameve për t’i redaktuar materialet të cilat mund të dëmtonin individë ose edhe veprime të ndërmarra tashmë, kështu që ia parashtruam qeverisë së Sh.B.A-ve dhe i kërkuam nëse kishin redaktime të tjera për të sugjeruar” (Shih: PBS Intervistë “The Redacting and Selection of Wikileaks documents by the Corporate Media”, PBS interview on “Fresh Air” with Terry Gross: December 8, 2010).  Po i njëjti David E. Sanger është anëtar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë si dhe anëtar bordi të Institutit ASPEN pjesë e të cilit janë Madelein Albright, Condoleeza Rice, ish Sekretari i Mbrotjes William Perry, Ish shefi  i CIA-s John Deutch, presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellick etj. (Shih po ashtu: F. William Engdahl, Wikileaks: “A Big Dangerous US Government Con Job,  Global Research, December 10, 2010). Kjo ka bërë që ajo që thotë gazetari i “pavarur”  Sanger në intervistën e tij ia parashtruam qeverisë së Sh.B.A-ve dhe i kërkuam nëse kishin redaktime të tjera për të sugjeruar” të vejë në dyshim qëllimin e mirë për një shoqëri të hapur dhe qeveri të hapura të cilat ndoshta duan të jenë të hapura vetëm për disa çështje të caktuara, fjala vjen për interesa gjeopolike të rajoneve që siç Assange përmend në fillim, rajone si Kina, Rusia, Lindja e Mesme, Azia Qëndrore ndoshta edhe Shqipëria. Pra, përdorim i informacionit të rezervuar, seleksionim dhe shpërndarje në media për qëllime gjeopolitike dhe  propagandistike e gjitha në luftën fisnike për një shoqëri të hapur në rrugën drejt së vërtetës !

Julian Assange në vitin 2008 merr çmimin “New Media Award” dhënë nga revista “The Economist”. Sir Evelyn Robert Adrian de Rothschild ka qenë kreu i kësaj reviste nga 1972 deri 1989. E shoqja Lynn Forester de Rothchild është aktualisht pjestare e bordit të “The Economist” ku edhe familja Rothchild ka një masë të admirueshme aksionesh në këtë revistë. Po ashtu ish kreu i kësaj reviste për vitet 1974-86 Andrew Stephen Bower, është aktualisht  bosi i “J. Rothchild Capital Management Fund”. Por ajo që e bën më interesante shfaqjen është fakti se  avokati personal i Julian Assange, Mark Stephens i studios më të famshme ligjore në Londër “Finers Stephens Innocent” është njëkohësisht edhe këshilltari ligjor i “Rotchild Waddwsdon Trust” (Trusti i Rothchlid-ëve).

Arma politiko-ekonomike WikiLeaks

Pas kësaj mburojeje si dhe lidhjesh me fije të panumërta mes WikiLeaks, kreut të saj Assange dhe korporatave të mediave, korporatave financiare, lidershipeve të politikave ndërkombëtare, natyrshëm lind shqetësimi në lidhje më shoqëritë e hapura dhe idealin e transparencës dhe triumfit të së vërtetës. Informacione të “redaktuara” të “përpunuara” u serviren popujve që mbi bazën e tyre të ndërtohen opinione, lëvizje, protesta, luftra, të cilat në emër të shoqërive te hapura, të së vërtetës tashmë të manipuluar mediatikisht të mund të modelojnë rendin botëror politiko-ushtarako-financiar.

WikiLeaks përtej moralizimeve ka qenë arma e radhës e cila në formën e një banke të dhënash tashmë ka të depozituar qindra mijëra informacione të lidhura me fushat e politikës, ekonomisë, ushtrisë etj. Ato mbahen të kyçura dhe “trajtohen” nga një grup i fuqishëm i cili i përdor dhe i lëshon herë pas here këto informacione në varësi të rrethanave, konjukturave politike, apo edhe situatave ekonomike në mbarë botën. Një informacion i lëshuar për një vend të caktuar ndaj një tjetri, mund të shkaktojë luftë mes tyre. Një informacion financiar ndaj një vendi në krizë mund të shkaktojë falimentimin e tij. Po ashtu informacione mbi situatat e bankave mund të rëndojnë krizat ekonomike deri në kolaps. Një informacion ushtarak ndaj një vendi tjetër mund të sjellë një seri komplikacionesh e kështu me radhë. Të gjitha këto për t’i shërbyer një elite politiko-financiare e cila duke gjetur mjetin e radhës nën idealin e pastër të transparencës të mund të ruajë domeinin mbi rendin botëror. Kjo tregon se tashmë metodologjia për këto qëllime po bëhet gjithmonë edhe më e ndërlikuar.

Dhe për ta mbyllur po citoj Theodore Dalrymple editorialistin e “City Journal” i cili për çështjen shprehet: “Shpërbërja e dallueshmërisë midis sferës publike dhe private ka qenë një ndër synimet më të mëdha të totalitarizmit. Hapja dhe leximi i e-mail-ave të të tjerëve nuk ka ndonjë dyshim me leximin e letrave të të tjerëve. Në fakt WikiLeaks ka marrë përsipër rolin e çensuruesit të botës. Edhe pse disa djallëzi apo të vërteta na janë shfaqur përmes saj, qëllimi nuk justifikon mjetin”.